Ishin me rrezik të lartë për fëmijët, bllokohen 10 mijë lodra për fëmijë

Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut bllokoi rreth 10.000 produkte, kryesisht lodra për fëmijë, të cilat ishin jashtë standardeve. Në prag të festave të fundvitit, tregëtimi i lodrave për fëmijët ka një aktivitet të shtuar. Por, shpesh këto produkte janë të ndaluara për përdorimin nga fëmijët pasi mund të shkaktojnë probleme për shëndetin. Gjatë ditës së martë, ISHMT inspektoi tregun e “Medresesë” në Tiranë, duke bërë verifikime në subjektet importuese, si dhe ato të tregtisë me shumicë dhe pakicë.

Nga inspektimi rezultoi se disa prej subjekteve tregtonin produkte që nuk plotësojnë standardet europiane, pra janë të pamarkuara CE, dhe me mungesë të dokumentacionit teknik, të kërkuar sipas legjislacionit në fuqi. Kryeinspektori i ISHMT-së Lavdrim Sahitaj, gjatë kontrollit në pikat e tregtimit, tha se ISHMT në bashkëpunim me Qendrën Konsumatori Shqiptar, ka kryer disa teste laboratorike për disa modele lodrash të marra në analizë dhe nga testet laboratorike ka rezultuar se ka elementë kimikë me rrezik të lartë për shëndetin e fëmijëve, ku përfshihen disa kategori të ftalateve, boronit dhe elementëve të tjerë të ndaluar kimikë në këto produkte. Vetëm në ditët e para të muajit dhjetor, ISHMT ka bllokuar rreth 10 mijë produkte, pasi tregtoheshin në kundërshtim me përcaktimet ligjore.

“Për të gjitha produktet që rezultojnë me përmbajtje të elementëve kimikë jashtë tolerancave të përcaktuara në legjislacionin shqiptar që tashmë është plotësisht i transpozuar me atë europian, janë marrë masa bllokimi të përhershëm dhe shkatërrimi të produkteve lodra.  Janë 10,000 produkte që janë bllokuar në pjesën e parë të muajit dhjetor. Ju kërkojmë importuesve dhe gjithë linjës së tregtimit të produkteve lodra, të bëjnë kujdes në produktet, që ata tregtojnë për konsumatorët, të cilat duhet të jenë në përputhje me legjislacionin për mbikëqyrjen e tregut, si edhe të tërheqin nga tregu produktet për të cilat ISHMT ka vendosur masën e ndalimit të përhershëm dhe janë njoftuar zyrtarisht si produkte të rrezikshme”, tha z.Sahitaj.

Skip to toolbar