Shqipëria me rekorde ndaj Islandës. Nga goli ‘sefte’ i Hysajt, te rezultati historik

Fitorja ndaj Islandës riktheu shpresën në kombëtaren tonë. Kjo ndeshje në fakt ishte deçizive për shumë arsye; së pari për të besuar ende te kualifikimi në Euro 2020, së dyti për të krijuar besim brenda grupit të lojtarëve dhe së treti për të rikthyer besimin e tifozëve te kjo skuadër. Madje, Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë një falënderim për tifozët, duke i dedikuar atyre një meritë të veçantë të suksesit të kuqezinjve.

Me anë të një mesazhi publik, FSHF shkruan; “Faleminderit nga zemra! Federata Shqiptare e Futbollit dhe të gjithë lojtarët kuqezi, dëshirojnë të falenderojnë tifozët tanë të mrekullueshëm që nuk e braktisin kurrë ekipin Kombëtar, që nuk kanë hezituar kurrë të bëjnë me mijëra kilometra për fanellën e shenjtë kuqezi dhe kanë qënë pranë skuadrës në ditë të mira dhe në ditë të vështira. Ky binom, tifozë-lojtarë, na ka treguar edhe më parë se është binomi fitues. Së bashku kemi treguar se kur jemi të bashkuar mund të arrijmë rezultate që për shumë dukeshin utopike, duke bërë bërë të pamundurën të mundur. Ëndrra vazhdon, së bashku mund të shkojmë shumë larg”, përfundon mesazhi i falënderimit.

Megjithatë, ndeshja e së martës, pati dhe disa rekorde. Së pari, për herë të parë në historinë e ndeshjeve zyrtare, kombëtarja jonë shënon 4 gola ndaj një ekipi dhe për më tepër ndaj një rivali që ka pasur suksese të rëndësishme në futboll vitetet e fundit. Së dyti, për herë të parë në karrierën e tij si lojtar profesionist në nivele të larta, Hysaj shënoi gol. Më herët, Hysaj ka shënuar vetëm një gol kur luante me Empolin në Serie B në 17 prill të vitit 2014 në ndeshjen kundër Virtus Lanciano. Prej asaj date, Hysaj nuk ka shënuar më në asnjë ndeshje, jo vetëm në klube, por as në mbi 50 ndeshje të luajtura me ekipin tonë kombëtar. Goli i së martës, i jep mundësi mbrojtësit të rifitojë dhe vendin e titullarit te Napoli.

Një tjetër rekord ishte numri i biletave të shitura. Deri në mëngjesin e të martës ishin shitur shumë pak bileta, rreth 4 mijë. Por, deri në mbrëmje pak para se të niste ndeshja, u shitën gati 10 mijë bileta, duke bërë që shkallët e stadiumit të ishin pothuajse të mbushura. Një tjetër rekord i vendosur ndeshjen e së martës ndaj Islandës, ishte fitorja ndaj këtij ekipi pas 28 vitesh. Për herë të fundit, kombëtarja jonë e kishte mundur Islandën në ndeshje zyrtare në vitin 1991, ndërsa kishte fituar dhe një takim miqësor në vitin 2004. /Realstory.al/

FNSH dhe antikrimi “blindojnë” Elbasanin

Pak orë para ndeshjes zyrtare mes Shqipërisë dhe Islandës, Policia e Elbasanit ka publikuar planin e masave për sigurinë në këtë takim. Për të garantuar zhvillimin në normalitet të kësaj ndeshje, Policia e Elbasanit ka vendosur të angazhojë 215 forca të Policisë së Rendit, Qarkullimit, Shqiponjat, FNSH-ja dhe Policia Kriminale.

Ndërkohë, duke nisur nga ora 18:00 e mbrëmjes, deri në përfundim të ndeshjes, do të mbyllen të gjitha lokalet dhe bizneset e tjera pranë stadiumit “Elbasan Arena”. Të gjithë tifozët do të kontrollohen në hyrje të stadiumit nga forcat e Policisë dhe nuk do të lejohet futja e sendeve të forta, shisheve me tapë, çelësave, monedhave apo metaleve (të çfarëdo lloji).

Ndeshja Shqipëri-Islandë do të luhet në orën 20:45 në “Elbasan Arena”, në takimin e gjashtë kualifikues për kampionatin Europian të vitit 2020, që do të mbahet njëkohësisht në disa shtete të Europës.

Shqipëria, 28 vjet pa fitore ndaj Islandës

Kombëtarja jonë e futbollit do të përballet mbrëmjen e të martës  me Islandën në ndeshjen e raundit të 6-të për kualifikueset e Euro 2020. Ndeshja do të luhet në “Elbasan Arena” në orën 20:45, ndërsa kuqezinjtë do të synojnë një fitore në këtë përballje. Në konferencën për shtyp të së hënës, trajneri Edy Reja u shpreh se në takimin e së martës do të ketë ndryshime të mëdha në formacion.

Ashtu siç u bë e ditur, Mërgim Mavraj nuk do të jetë kapiten por as në fushën e lojës në takimin ndaj Isalndës. Në vend të tij pritet të aktivizohet Kastriot Dermaku. Ndërkohë, po në mbrojtje pritet të ketë ndryshime të tjera, ndërsa ende nuk dihet nëse skema do të jetë 3-5-2 si ajo ndaj Francës. Në repartin e mesfushës, titullar pritet të jetë Keidi Bare dhe Klaus Guiasula, Abrashi gjithashtu pritet të jetë titullar, ndërsa ende nuk dihet nëse do të aktivizohet Ramadani nga minuta e parë.

Ndryshime pritet të ketë dhe në repartin e sulmit, ku Odise Roshi do të jetë krah Balajt ose Cikalleshit, në varësi të skemës, ndërsa Uzuni mund të zëvendësohet nga Lenajni. Kjo do të jetë përballja e shtatë me Islandën, me të cilën kemi zhvilluar deri tani 5 takime zyrtare dhe një miqësore në vitin 2004. Ndërkohë, sa i përket bilancit në ndeshjet e luajtura, kombëtarja jonë ka fituar dy ndeshje ndaj Islandës, në vitin 1991 në kualifikueset e evropianit dhe në 2004 në takimin miqësor. Ndërkohë, takimet e tjera janë të gjitha fitore për Islandën.

Islandë-Shqipëri, nis shitja e biletave, ja ku i gjeni!

Veç biletave për ndeshjen me Moldavinë, të cilën kombëtarja jonë do t’a luajë në Elbasan, FSHF ka nxjerrë në shitje edhe biletat për ndeshjen me Islandën që do të luhet në transfertë, më 8 qershor.

Të gjithë tifozët e interesuar, të cilët kanë dëshirë të ndjekin kombëtaren në këtë ndeshje në transfertë, do të kenë mundësi që biletat ti blejnë online në faqen e federatës.

“Federata Shqiptare e Futbollit, njofton të gjithë të interesuarit së kanë dalë në shitje biletat e ndeshjes eliminatore të EURO 2020, Islandë-Shqipëri, përballje e cila do të zhvillohet në datën 8 qershor 2019, ora 13:00 me orën islandeze dhe 15:00 me orën tonë”.

“Kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Laugardalsvöllur”, adresa Laugardalur IS-104, Reykjavik, Islandë”.

“Biletat për përballjen e kuqezinjve, do mund ti blini online në websitin e FSHF-së. Në shitje do të gjeni 2 kategori biletash si mëposhtë:

Biletat në sektorin J dhe K kushtojnë 5,330.00 L.
Biletat në sektorin B kushtojnë 7,280.00 L”, shkruhet në njoftimin e FSHF-së.

Skip to toolbar