Ismail Kadare nderohet me çmimin ‘Pak Kyong 2019’

Shkrimtari Ismail Kadare është nderuar në Seul të Koresë së Jugut me çmimin prestigjioz “Pak Kyong” për vitin 2019. Ky është çmimi i vetëm ndërkombëtar letrar që Koreja e Jugut u jep shkrimtarëve dhe pritet t’i dorëzohet Ismail Kadaresë më 26 tetor në qytetin Wonju me një ceremoni të veçantë.

I ndodhur në Seul, Kadare foli për mediat edhe për çmimin Nobel në letërsi ku u vlerësua shkrimtari Peter Handke. Kadare tha se e njihte personalisht Handke, por e cilësoi të gabuar dhënien e një çmimi të tillë për të.

“E njoh personalisht Handken dhe kam ngrënë drekë me të disa herë. Mendoj se ekziston një vijë që letërsia nuk duhet ta kalojë, por Handke e kaloi atë. Vrasja nuk duhet të pranohet nën asnjë rrethanë,” tha Kadare.

Sivjet dy Nobel për Letërsinë, rriten shanset për Kadarenë

Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, është nominuar edhe për këtë vit si kandidat për Çmimin Nobel në Letërsi, që do të jepet më 11 tetor. Për herë të parë që nga koha kur është dhënë ky çmim, për vitin 2019, Akademia Suedeze do të japë dy “Nobel” për fushën e letrave. Shkaku është pasi çmimi i vitit 2018 u pezullua, pas një skandali seksual të pahijshëm, që çoi në dorëheqjen e shtatë anëtarëve të Akademisë.

Për pasojë trupa gjykuese nuk pati kuorumin e nevojshëm për të marrë një vendim. Ndaj, këtë vit, Nobeli i Letërsisë do të ketë dy fitues, të cilët do të marin një medalje ari dhe rreth 830 mijë euro si shpërblim. Ndër kandidatët e përmendur për këtë çmim janë polakja Olga Tokrczuk, Ismail Kadare nga Shqipëria, novelisti amerikan Joyce Carol Oates dhe Haruki Murakami nga Japonia.

Akademia pritet të shmangë polemikat këtë vit, ndaj për këtë arsye mendohet se një prej fituesve të dy çmimeve, do të jetë grua. Për shkrimtarin shqiptar, Ismail Kadare, është e disata herë që nominohet për të fituar Nobelin e Letërsisë. Në vitin 2017, disa gra folën në media dhe akuzuan një personalitet të kulturës, me lidhje të ngushta me Akademinë, për sulme seksuale, përdhunime apo ngacmime.

Për këtë arsye, në vitin pas ardhës, 7 nga 18 anëtarët e Akademisë dhanë dorëheqjen nga ky institucion. Pas emërimit të anëtarëve të rinj, Akademia është zotuar për më shumë transparencë. Ndërkohë, kandidate për të fituar Nobelin e Paqes, është aktivistja 16-vjeçare e mbrojtjes së mjedisit, Greta Thunberg.

Pas Kadaresë, edhe shtëpia e Dritëro Agollit do të bëhet muze

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka qenë i pranishëm në hapjen zyrtare të shtëpisë muze të shkrimtarit Ismail Kadare. Shtëpita e rikonstruktuar është hapur zyrtarisht për vizitorët vendas dhe të huaj, të cilët do të njihen me ambientet e shtëpisë ku jetoi dhe ka shkruar shumë nga veprat letrare shkrimtari ynë ndërkombëtar, Ismail Kadare.            

“Shprehja e Ismailit se gjithmonë ka kohë që njeriu të bëjë diçka të dobishme për vendin e tij, është fantastike. Në njëfarë mënyre gjetëm kohë, në shumë punë që ka qyteti, të bëjmë diçka të dobishme për vendin tonë, jo diçka ekskluzive të Tiranës, por diçka që lartëson, por edhe që hap një dritare për një nga figurat më emblematike, një nga markat më të njohura ‘Made in Albania’, që është Ismail Kadare, Helena dhe familja e tyre, si dhe vepra që ka buruar nga kjo shtëpi”, tha Veliaj.

Por puna për të shndërruar në muze shtëpi ku kanë jetuar personalitete të njohura të letrave shqipe nuk do të ndalet këtu. Erion Veliaj është shprehur se pas shtëpisë së Kadaresë, radhën e ka ajo e Dritëro Agollit.

“Ne jemi duke eksploruar edhe hapësirat e tjera në Tiranë, që ashtu si shtëpia e Ismailit edhe Dritëroit, të kemi edhe hapësira të tjera që mund t’i kthejmë të vizitueshme, edhe në cepa të ndryshme të qytetit, për të mos u fokusuar në pjesën tonë qendrore. Ne duam që me këtë rast, të fillojmë një traditë shumë të bukur të muzeumeve vendore”, theksoi Veliaj.

Skip to toolbar