Arbër Cekaj është një emër i njohur për
policinë shqiptarë i cili akuzohet për trafikun e mbi 600 kg kokainë në Shqipëri
përmes bananeve. Edhe pse i arrestuar para pak kohësh në Gjermani, emri i tij sërish
ka dalë në media, por këtë herë nga drejtësia italiane.
Arbër Cekaj dyshohet se është dhe drejtuesi i
një grupi kriminal i shkatërruar gjatë të martës në Itali që trafikonte kokainë
nga Shqipëria drejt Novaras . Gjatë aksionit u arrestuan 19 persona,7 prej tyre
janë shqiptarë.
Rrjeti kriminal u shkatërrua pas një hetimi 2
vjeçar, ndërsa policia italiane thotë se Cekaj ishte kryetari i këtij grupi
kriminal për trafikimin e drogës nga Shqipëria në Itali. Hetimet kanë nisur dy
vite më parë, më 2017 pas arrestimit të shtetasit shqiptar Elton Shano, 38 vjeç me 3 kg kokainë e 1
pistoletë. Pak muaj pas arrestimit ai ka vendosur të bashkëpunoj me forcat e
policisë e rrëfimi i tij ka ndihmuar në zbardhjen e një trafiku kokaine që jo
vetëm tranzitonte në qytetin e Novarës, por dhe kishte një qendër magazinimi në
këtë qytet.
Kokaina e cilësisë së pastër 95% trafikohej
nga Kolumbia në Shqipëri e më pas transportohej në Novara. Kokaina furnizonte
tregjet e shitjes së saj jo vetëm në Novara, por dhe në Alessandria, Bustio
Arsizio, Massa Carrara e Pavia.