Sattler: Parti që djegin shkolla, mos hyjnë më në zgjedhje

Që në nisje të kësaj krize politike të krijuar nga opozita, ndërkombëtarët kanë folur hapur kundër qëndrimit të PD –LSI, por shuplakën e fortë e ka dhënë mëngjesin e së enjtes ambasadori austriak Johan Sattler i cili ka folur nga Shkodra, aty ku iu vu flaka shkollës për të djegur materialet zgjedhore.

Ndërsa thotë se “njerëzit me mendësi demokratike nuk djegin shkolla” Sattler  thekson se “në Shqipëri s’duhet të ketë më parti që refuzojnë të hyjnë në zgjedhje”.

Ambasadori austriak sqaron se zgjedhjet zakonisht zgjidhin kriza, dhe nuk i krijojnë ato, por e kundërta ndodh në Shqipëri.

“Diçka duhet të ndodh sepse Shqipëria është në një krize më të madhe se zakonisht. Kriza aktuale mund t’ju japë kohë për të reflektuar për sistemin. Çdo herë kur ka zgjedhje në Shqipëri ka kriza, në vendet e tjera zgjedhjet i zgjidhin krizat ndërsa këtu është e kundërta. Kryetaret e partive të ulen së bashku. Djegia e shkollave është aspak e këndshme. Ata me mendësi demokratike nuk djegin shkolla dhe unë bie dakord me zonjën Topalli dhe ju duhet të merrni një hap prapa dhe të ballafaqoheni me këto probleme.

Mendoj se duhet ta përballoni kohën e zgjedhjeve me gjakftohtësi dhe të ndërtoni një sistem ku parti që nuk hyjnë në zgjedhje apo që nuk njohin zgjedhjet të mos ketë me, të gjeni një kompromis për këtë.

Ka patur edhe shumë anulime këto kohë për shkak të lajmeve në media për kokteilet e molotovit, zjarret e tjera si këto. Nëse ju vazhdoni me këto mënyra do ketë shumë ndikim edhe tek europianët e tjerë dhe pastaj është shumë e veshtirë të hiqet një imazh i keq nga truri i tyre.

Për të zgjidhur kriza të mëdha duhet të ketë edhe koalicione të mëdha dhe ju duhet të jeni më të bashkuar për të qenë pjesë e BE. Keni humbur shumë kohë në këto 30 vite. Është e lehtë për të thënë që është faji i klasës politike, është edhe faji juaj, pse rrini në shtëpi, pse nuk shkoni të nënshkruani një peticion, detyroni partitë të jenë të hapura, mos i lini kryetarët të jenë diktator, duhet të gjeni një çështje të mirë për të luftuar që mund të jetë ose jo politike. Duhet të bëni më shumë se politikanët tuaj”- tha ambasadori në një takim me të rinjtë e Shkodrës.

Një deklaratë e tillë vjen si një shuplakë për opozitën në tërësi që ka nxitur drejtuesit e saj lokalë të sulmojnë KZAZ-të dhe të pengojnë zhvillimin e zgjedhjeve. Për ndërkombëtarët kjo është e papranueshme.

Skip to toolbar