Humbja me Skënderbeun, Ahmataj deklaron dorëheqjen nga Tirana

Trajneri i Tiranës, Julian Ahmataj ka paraqitur dorëheqjen e tij te presidenti i klubit Refik Halili, pas rezultatit zhgënjyes ndaj Skënderbeut në Korçë, ku bardheblutë humbën 2-1. Ahmataj, i cili vetëm një muaj më parë u zgjodh trajner i Tiranës, deklaroi se është i zhgënjyer me mënyrën se si skuadra pësoi gola. Ai tha se skuadra duhet të punojë si e tillë dhe nëse mendojnë se fajin e ka trajneri, atëherë po largohet.

Rezultati është një zhgënjim shumë i madh, por nuk mendoj se i falëm një pjesë loje. Pësuam në dy momente, ku ishim në superioritet numerik, ndaj më vjen keq që marrim gola të tillë, ashtu si nuk zgjidhim mirë situatat në sulm. Këto gjëra rregullohen, pro më vjen keq pasi këtu përpara se të fillosh punë, mendojnë të heqin trajnerin. Unë i kam paraqitur dorëheqjen presidentit Halili dhe nëse mendojnë se jam unë e keqja, nuk ka nevojë të më heqin, pasi largohem vetë. Më habit shumë mënyra se si i marrim golat. Nëse gjërat nuk rregullohen ashtu si duhet, atëherë nuk do të vazhdoj më. Ose e bëjmë punën si duhet, ose nuk ia vlen. Unë e dija situatën, por nuk e mendova kaq rëndë. Është në të mirë të skuadrës, që të ndryshojnë ujërat në të gjitha drejtimet” u shpreh Ahmataj.

Në lidhje me paraqitjen e dorëheqjes së Ahmataj, të dielën është planifikuar një takim mes trajnerit dhe drejtuesve të klubit.

Ikja e Memës, Tirana me trajner të ri

Julian Ahmataj do të jetë pasuesi i Ardi Memës në stolin e Tiranës. Ndonëse klubi ende nuk e ka zyrtarizuar, trajneri elbasanas pritet të prezantohet të premten pasdite me skuadrën. Ahmataj në fakt nuk është i panjohur në klubin e Tiranës, pasi ai në fillim të sezonit u emërua trajner i ekipeve të moshave, por u largua më vonë.

Ndërkohë, Ahmataj ka qenë dhe futbollist i ekipit bardheblu. Gjatë paradites të së premtes, Tirana zyrtarizoi shkarkimin e trajnerit Ardi Mema pas një viti bashkëpunim.

Largimi i trajnerit, që vinte nga familja Mema, dikur ish lojtar i skuadrës, erdhi për shkak të rezultateve jo të mira në ndeshjet e fundit. Tirana u mund në takimin e mesit të javës nga Bylis, disfatë që vulosi dhe fatin e trajnerit Mema.

Julian Ahmtaj është trajner me kepseriencë në kampionatin shqiptar, pasi në vitet e fundit ai ka drejtuar klube të ndryshme. Objektivi i Tiranës për këtë sezon është titulli kampion, që do të ishte qershia mbi tortë për festën e 100 vjetorit të themelimit të klubit, duke festuar njëkohësisht dhe titullin e 25-të kampion.

Çudira shqiptare, Luftëtari pezullon trajnerin dy javë pasi u mund nga Tirana!

Luftëtari vijon të jetë surprizues, jo vetëm me atë që po bën në fushën e blertë, por edhe jashtë saj. Çfarë ka ndodhur këtë herë?! Klubi gjirokastrit arriti në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, ku përballë pati Tiranën. Kjo e fundit arriti të fitonte ndeshjen e dytë dhe të shkonte në finale, ndërsa Luftëtari u kthye në shtëpi.

Megjithatë, edhe pse ishte një arritje historike për gjirokastritët kapja e gjysmëfinales, drejtuesit nuk janë kënaqur me rezultatin. Dy javë pas gjithë kësaj histori, kur kanë kaluar disa suksese në kampionat, në Gjirokastër janë kujtuar të ndëshkojnë përgjegjësit për largimin nga kupa.

As më pak e as më shumë, por trajneri Julian Ahmataj, zëvendësi Neritan Novi dhe dy lojtarët, Albano Aleksi dhe Jackson Ferreira, janë pezulluar për një afat prej dy javësh nga klubi. Kjo është një situatë e pazakontë që ndodh me një klub futbolli, që nga njëra anë ka probleme dhe detyrime ndaj lojtarëve dhe nga ana tjetër i ndëshkon për mosarritjen e një objektivi, që në fakt nuk ka qenë i tillë. Ja komunikata e plotë e klubit gjirokastrit për vendimin e sotëm:

“Klubi i futbollit Luftëtari, pasi ka ndjekur me shqetësim ecurinë e skuadrës dhe sidomos humbjen e thellë në takimin përballë Tiranës, çka solli edhe eliminimin nga Kupa e Shqiperisë, stafi drejtues i klubit, ka analizuar me seriozitet situatën dhe ashtu siç ishte paralajmëruar ka marrë masa disiplinore”.

“Nga ana jonë janë pezulluar për një afat dy javor, trajneri Julian Ahmataj si dhe zv. trajneri Neritan Novi. Gjithashtu për një afat dy javor janë pezulluar edhe futbollistët Albano Aleksi dhe Jackson Ferreira Silverio”.

“Klubi i futbollit Luftetari, nuk mund të tolerojë kurrsesi paraqitje si ajo perballë Tiranës në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës, ku skuadra u shthur totalisht duke pësuar gola dhe një humbje të papërtypshme”.

“Luftëtari bën me dije se për trajnerët apo lojtarët e pezulluar nuk do të ketë masa financiare, duke i paguar ata rregullisht si gjithë pjesa tjetër e skuadrës. Në këto dy javë, skuadra në procesin stërvitor, apo ndeshjet e kampionatit do të drejtohet nga trajneri i portierëve Jovan Mihajlovic”.

“Arritja e objektivit mbijetesë, edhe pse ende jo matematikisht bën që skuadra të ketë mundësinë e rotacionit dhe ne po shohim me përparësi aktivizimin e lojtarëve të cileve nuk u është dhënë mundësia të tregojnë vlerat e tyre.”

“Luftëtari ka nisur tashmë punën për formatimin e skuadrës për sezonin e ri dhe përforcimin e saj me elementë cilësore. Ne jemi të vendosur të ndërtojmë sërish një Luftetar dinjitoz, i cili do t’i japë tonin Superliges Shqiptare dhe do të bëjë krenar një qytet të tërë”.

Skip to toolbar