Durrës, shoqërohen në polici 17 punonjës të Kadastrës

Policia e Durrësit shoqëroi të premten e 17 punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Punonjësit po pyeten në lidhje me dosje të ndryshme pronash, që dyshohet se kanë parregullsi. Në polici janë shoqëruar dhe ish-punonjës të kësaj agjencie, që më parë njihej si ALUIZNI.

Punonjësit e shoqëruar në polici mbajnë detyra si specialistë, topograf, juristë dhe hartograf. Paraprakisht dyshohet se punonjësit janë thirrur për tu pyetur në lidhje me dosje që kanë të bëjnë me tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit. Disa ditë më parë, Gjykata e Apelit në Durrës liroi nga burgu drejtorin e Kadastrës Liridon Pula.

Ai ishte ndaluar disa javë më parë me kërkesë të prokurorit Arian Ndoja, i cili pretendone se kreu i Kadastrës kishte abuzuar me pronat. Ndërkohë, ndaj prokurorit Ndoja, Kryeministri Edi Rama ngriti akuza të rënda, duke u shprehur se ai ishte bashkëpunëtor i bandave kriminale.

Vijon…

“Skandale pronash në Vlorë, Durrës, Elbasan e Shkodër”

Artan Lame, kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, komentoi nga Elbasani dorëheqjet e tre drejtuesve në Kadastrën e Vlorës. Sipas numrit një të kësaj agjencie, probleme të tilla do të ketë në shumë qytete, por, në Vlorë, sipas Artan Lames, mungon “durimi”. “Probleme si ky i Vlorës do të dëgjonin në shumë qytete të tjera. Ndoshta për fat të keq, që sot jemi në Elbasan për të mbyllur legalizimet, do dëgjoni probleme si ky i Vlorës edhe në Elbasan. Po dëgjoni në Durrës, do dëgjoni në Shkodër, për fat të keq do të dëgjoni edhe në Sarandë. I vetmi ndryshim i Vlorës me qytetet e tjera, është ajo, që siç thotë kryeministri Rama, nuk gjen në Vlorë njeri që quhet “Durim”, tha Lame.  

Megjithatë, sipas kreut të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, probleme të kësaj natyre vijnë pasi “ka rënë piramidat e vjetra të ndërhyrjeve, dhe askush s`mund të mbrojë paligjshmërinë”. “Janë  më të padurueshëm se të tjerët, probleme të tilla do të dëgjoni ngado për një arsye shumë të thjeshtë: kanë rënë  piramidat e vjetra të ndërhyrjeve dhe të pushtetit dhe tashmë nuk ka askush që të mbrojë paligjshmëritë dhe gjërat e bëra keq në njëzet e ca vjet. Kjo është e gjitha nuk asnjë arsye tjetër. Do të dëgjoni shumë shpejt problematika të tilla në të gjithë Shqipërinë”, tha Lame.  

Nga agjencia e Kadastrës në qytetin e Vlorës, janë dorëhequr tre drejtues brenda një muaji. Së fundi, në datën 8 tetor dha dorëheqjen drejtoresha Elona Hodaj dhe zëvendësdrejtori Krenar Xhemali. Shkak është bërë një pronë në Jalë, e cila dyshohet se i është tjetërsuar një qytetari dhe i është dhënë një tjetri. Ndërkohë, për çështjen në fjalë nisi dhe një hetim në fillim të muajit shtator. Artan Lame i bëri këto deklarata nga qyteti i Elbasanit, ku shpërndau lejet e legalizimit për 134 familje.

Skip to toolbar