Pronat e tërmeti, Morina në Real Story: Njerëzit, skeptikë për sigurimin. Niveli, mjaft i ulët

Tërmeti i 26 nëntorit, ku përveç viktimave shkaktoi dhe dëme të mëdha materiale, nxori në pah një mungesë të re në kulturën e popullit por dhe bazën ligjore për sigurimin e pronës dhe jetës në raste të fatkeqësive natyrore. Kjo temë ka qenë pjesë e bisedës në emisionin “Real Story” në News 24, ku presidenti i kompanisë së Sigurimit Eurosig, Kadri Morina tha se fatkeqësisht shqiptarët kanë një kulturë të cunguar në lidhje me rëndësinë e sigurimit të shtëpisë apo pronës. Morina tha se një pjesë shumë e vogël e qytetarëve kanë siguruar shtëpinë dhe shumica e kanë bërë se e kanë të indikuar nga bankat për marrjen e kredive dhe jo nga vullneti i lirë apo dëshira.

Në tërmetin e parë, të 21 shtatorit, të gjithë klientët e siguruar, janë dëmshpërblyer brenda 45 ditëve, siç parashikohet në ligj. Nga 1 milionë e 200 mijë banesa me tituj pronësie janë të siguruar vetëm 2 % e tyre që d.m.th. jo më shumë se 20 mijë, pra shumë pak. Shumica e tyre janë të indikuara nga banka për shkak të kredive që marrin. Ato që vijën të sigurojnë banesën me dëshirën e tyre janë vetëm 0.1 – 0.2 % nga 2 % që janë të siguruara. Nga këto 20 mijë objekte të siguruara 15 % e tyre janë biznese”, u shpreh Morina për “Real Story”.

Në lidhje me skepticizmin e njerëzve nëse kompanitë e sigurimit janë të besueshme, Morina tha se qytetarët nuk duhet t’i tremben atyre, pasi edhe vetë kompanitë e sigurimit sigurohen në një kompani edhe më të fuqishme që paguan dëmet në raste fatkeqësisht brenda 72 orëve.

“Garantoj të gjithë klientët e të gjithë kompanive të sigurimit në Shqipëri, që janë të risiguruara të gjitha kompanitë e sigurimeve në kompani më të fuqishme. Fondet e siguruar janë të ruajtura diku tjetër. Risigurimi është kryer që në krijimin e kompanisë dhe kjo kontratë risigurimi në një kompani më të fortë bën që brenda 72 orëve kompanitë të marrin një shumë të konsiderueshme për dëmet e bëra nga tërmeti apo çdo lloj fatkeqësie tjetër” tha Morina. / Real Story

Skip to toolbar