Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se ditën e sotme është bllokuar dhe kthyer në vendin e orgjinës, 365 kg kafe e ardhur nga Kosova dhe 21.6 ton qumësht pluhur nga Serbia. Sipas njoftimit të AKU, kafja e ardhur nga Kosova kishte destinacion tregtimin në tregun shqiptar. Arsyeja e bllokimit të saj është bërë pasi kafes i kishte mbetur afat përdorimi më pak se gjysma e jetëgjatësisë sa saj.
“Nga kontrolli i ushtruar në një ngarkesë me 375 kg “Kafe Espresso D-CAFFE”, nisur nga Kosova me qëllimin për t’u tregtuar në Shqipëri, inspektorët e AKU-së gjatë kontrollit në kufi kanë konstatuar se produktit “Kafe Espresso D-CAFFE” i kishte mbetur afat përdorimi më pak se gjysma (1/2) e jetëgjatësisë”.
“Për rrjedhojë, nuk plotësonte kërkesat ligjore të parashikuara në pikën 2 të Urdhërit Nr.250, datë 29.07.2011 “Mbi disa masa për hyrjen në territorin e Republikës së Shqipërisë të produkteve ushqimore” dhe si e tillë nuk ishte e përshtatshme për konsum. Në bazë të legjislacionit në fuqi, AKU nuk lejoi futjen e këtyre produkteve në territorin e Republikës së Shqipërisë, ngarkesa me këtë produkt ushqimor u kthye në vendin e origjinës”, thuhet në njoftimin e AKU.
Gjithashtu, në njoftimin e AKU mësohet se është bërë kthimi në vendin e orgjinës i një sasie prej 21.6 ton qumësht pluhur, i nisur nga Serbia me destinacion tregun shqiptar.
“Nga kontrolli i ushtruar në praktikën e importit të një ngarkesë me 21,600 kg qumësht pluhur, nisur nga Serbia me qëllimin për t’u tregtuar në Shqipëri, inspektorët e AKU-së në kufi kanë konstatuar se importuesi “ITAL GEL” nuk është i licencuar për shitje me shumicë të ushqimeve me origjinë shtazore për konsum human (nuk ka licencën përkatëse për aktivitetin me Kod II-1B)”.
“Në bazë të legjislacionit në fuqi, AKU mori marrën masa administrative “Bllokim” të sasisë prej 21.6 ton qumësht pluhur, me urdhër kthimin e produktit në vendin e origjinës”, thuhet në njoftimin e AKU.