Vazhdojnë përpjekjet kundër zjarreve në Kaliforni

Autoritetet kanë anuluar urdhërat e evakuimit në disa komunitete fermere ndërsa zjarrëfikësit bënë përparime në shuarjen e një zjarri në pjesën jugore të Kalifornisë. Zjarri Maria ka shkatërruar pothuajse 40 kilometra katërorë sipërfaqe ndërsa kërcënohen më shumë se 2 mijë e 500 shtëpi dhe ndërtesa të tjera.

“Mund të shihen flakët ndërsa gjatë natës zjarret duken si skëterrë. Shikon vetëm zjarr dhe tym. Përpiqesh të dallosh sa larg ndodhesh dhe ndjenja e perceptimit të distancës ndryshon”, thotë John Grether pronar i një ferme me avokado dhe agrume.

John Grether thotë se ka humbur rreth 10 hektarë me pemë avokadoje.

“Kjo kokërr avokado është djegur nga jashtë. E ndava në mes dhe mund të shihet se sa është dëmtuar brenda. Këto fruta do të bien nga pemët dhe përfundimisht nuk mund të shiten.”

Zyrtarët thonë se zjarri Maria filloi të enjten në një kodër në veriperëndim të qytetit Los Angeles, dhe thuhet se shkëndijat e krijuara nga rrjeti elektrik mund të kenë qënë shkaktari.

Edhe zjarre të tjera janë shkaktuar nga shkëndijat e dala nga rrjeti elektrik si pasojë e përplasjes së telave nga erërat e forta.

Kompania e shpërndarjes së energjisë në Kaliforninë Jugore tha se kishte aktivizuar linjën e tensionit të lartë prej 16 mijë voltësh rreth 15 minuta para se të shkaktohej zjarri. Kompania tha se do të bashkëpunonte me organet hetuese./VOA/

Anija në flakë 30 të vdekur

Një anije, në bordin e të cilës mendohet se mund të kenë qenë 34 persona, ka shpërthyer në flakë gjatë natës, kur të gjithë ishin në gjumë. Kjo ka shkaktuar të paktën 30 viktima, ndërsa 4 prej tyre raportohet se janë shpëtuar nga rojat bregdetare.

Nuk dihen arsyet se pse varka shpërtheu në flakë, që ndodhej afër ishullit të Santa Cruz, në Kaliforni. Tragjedia ishte e madhe pasi pasagjerët kanë qenë në gjumë, duke u asfiksuar nga tymi e më pas djegur nga flakët. Të vetmit që kanë shpëtuar janë 4 pjesëtarë të ekuipazhit, të cilët arritën të hidheshin në det dhe më pas u shpëtuan nga rojat bregdetare.

Drejt vendngjarjes shkuan dy helikopterë dhe 3 anije , por nuk kanë qenë në gjendje të bënin asgjë për personat që ndodheshin në bordin e anijes në flakë.

Autoritetet ende nuk e kanë të konfirmuar numrin e viktima dhe nuk dihen më shumë detaje nga ngjarja e rëndë.

Kapen 4 ton drogë të fshehura te specat me vlerë 2 milionë euro

Autoritetet doganore kanë sekuestruar mbi 4 ton marijuanë të fshehur në një ngarkesë me speca të kuq. Kamioni, që tërhiqte një rimorkio të madhe nga pas deklaroi se po transportonte speca të kuq, por qentë e antidrogës bënë të mundur zbulimin e marijuanës, e cila ishte fshehur mes specave.

Ngjarja ndodhi në doganën e San Diegos në Kaliforninë e Jugut, ku policia sekuestroi mbi 4 ton marijuanë, që kapte një vlerë rreth 2 milionë euro në treg.

Në pranga ra drejtuesi i kamionit një shtetas meksikan, 37 vjeç, ndërsa hetohet për zbulimin e destinacionit të saj.

Tre vajza nga Shqipëria fitojnë garën mbi teknologjinë në Kaliforni

Tre gjimnaziste nga Tirana ishin të enjten fitueset e vendit të parë në një konkurs të organizatës Technovation në San Francisco të Kalifornisë për zgjidhjen e problemve reale në komunitetet e tyre përmes teknologjisë. Çdo vit, ekipe vajzash nga e gjithë bota marrin pjesë në këtë garë. Vajzat nga Tirana paraqitën një aplikacion që u vjen në ndihmë grave dhe vajzave të dhunuara në shoqërinë shqiptare.

Ka qënë një rrugëtim emocional dhe mbresëlënës për këto tre gjimnaziste të Tiranës, që iu përgjigjën sfidës së organizatës Technovation duke gjetur zgjidhje për një problem mjaft të mprehtë të shoqërisë ku jetojnë – dhunës gjinore.

“Që në fillim donim që të ndihmonim në një farë mënyre gratë shqiptare dhe duke marrë parasysh mentalitetin shqiptar, menduam që të trajtonim një temë si dhuna me bazë gjinore, që do të ishte mënyra më e mirë për t’u ardhur në ndihmë”, thotë 15 vjeçarja Jonada Shukarasi.

Aplikacioni i ndërtuar prej tyre, përmbledh në një menu shumë të thjeshtë të gjithë numrat telefonikë që mund të marrin gratë në një situatë të caktuar. Një zgjidhje praktike e cila vjen edhe me një numër këshillash për të gjetur zgjidhje në situata delikate.

“Ne jetojmë në një shoqëri patriarkale. Kemi dalë nga komunizmi dhe sigurisht që ka një dominancë të gjinisë mashkullore në shoqëri dhe një mentalitet shumë të prapambetur që gratë nuk mund të jenë të pavarura dhe nuk mund të shkollohen, të bëjnë përpara në jetë, të kenë financat e tyre dhe e gjithë kjo reflektohet edhe në rininë e sotme, edhe pse ka shumë ndryshime. Ne shohim shenja të hershme të kësaj dhune që reflektohet në marrëdhëniet e miqve tanë sot”, thotë Dea Rrozhani.

Programi ka qënë shtysa e duhur drejt teknologjisë për këto vajza në një shoqëri të dominuar nga mentaliteti se djemtë janë më të prirur për të qënë të aftë në fushat inxhinierike.

“Për djemtë ka qënë gjithmonë më e thjeshtë që të futen në teknologji. Që të vegjël i shtyjnë tek lojrat kompjuterike ndërsa vajzat i mënjanojnë nga kjo pjesë sepse është pikërisht ai mentaliteti maskilist, patriarkal që do t’i ngrerë djemtë më lartë se vajzat. Gjithmonë ka patur një mentalitet të gabuar për vajzat në teknologji apo edhe në fusha të tjera siç është biznesi”, thotë Arla Hoxha.

Megjithë përpjekjet për të ndryshuar këtë tendencë dhe për të inkurajuar brezin e ri drejt në qasje më të drejtë të barazisë gjinore, vajzat thonë se mbetet ende shumë punë për t’u bërë.

“Edhe nëpër shkollat tona ne bëjmë IT dhe nga vetë mësuesit e IT-së vajzat nuk marrin aq mbështetje. U jepet prioritet djemve dhe vajzat lihen mënjanë, anashkalohen duke menduar se ato nuk do të bëjnë karrierë në atë fushë më vonë, gjë që nuk është e drejtë”, thotë Jonada Shukarasi.

Përvoja e këtyre vajzave në këtë program të financuar nga kompani të mëdha të teknologjisë në Silicon Valley do të ketë një efekt të fuqishëm në jetën e tyre shumë kohë pas përfundimit të këtij programi.

Të frymëzuara nga kjo fitore ato kanë fituar besimin se kanë aftësinë të zgjidhin probleme të komunitetit dhe të ndihmojnë në thyerjen e barrierave gjinore për të çuar përpara shoqërinë shqiptare. /VOA

Çmendet legjenda Mike Tyson, shpenzon shuma marramendëse për kanabis

Legjenda e boksit amerikan, Mike Tyson ka shokuar fansat në të gjithë botën me një deklaratë të bërë prej tij, ku shprehet se shpenzon “40 mijë javë në muaj për të pirë kanabis”. Këtë deklaratë, Tayson e ka bërë në një komunikim në radio, ku me të qeshur i drejtohej partnerit të tij në biznes Eben Britton, se sa para shpenzonin për të pirë kanabis.

Legjenda e boksit në peshat e rënda, tashmë në moshë 53 vjeç, pretendon se shpenzon të paktën 33 mijë paund, ose rreth 40 mijë euro në javë, së bashku me partnerin e tij për të konsumuar kanabis. Tyson zotron aktualisht një fermë të kultivimit të kanabisit në jug të Kalifornisë, e cila ka një sipërfaqe prej 40 hektarësh.

Në vitin 2016 ai krijoi kompaninë Tyson Holistic Hoding, e cila ka si qëllim kultivimin dhe më pas tregtimin e kanabisit në SHBA. Pas suksesit në tre vitet e para të fermës, Mike Tyson synon që të zgjerojë sipërfaqen e kanabisit në 407 hektarë.

Horror në Kaliforni, vritet fëmija dhe dy të rritur, 15 të plagosur

Nga një festival ushqimi është kthyer në një ditë horrori, pasditja së dielës në Kaliforninë veriorë ku një 3 persona u vranë, mes tyre një fëmijë 6 vjeçar dhe 15 të tjerë mbetën të plagosur pasi nje person hapi zjarr mes turmës që ishin duke festuar në ditën e 3 të “festivalit të hudhrës”.

Një nga viktimat e vrarë ishte gjashtëvjeçari Steven Romero i San Jose. Nëna e djaloshit u qëllua gjithashtu në stomak dhe në dorë dhe u transportua me urgjencë në spital.

Zyrtarët pritet të vazhdojnë hetimet dhe  të japin informacion shtesë në një konferencë shtypi gjatë të hënës.

Këshilltari i qytetit Gilroy, Dion Braço, ka thënë se këto të dhëna janë paraprake. Agjentët nga Byroja Federale bëjnë të ditur se përveç plumbave janë hedhur edhe mjete të tjera shpërthyese.

Një dëshmitar i ka thënë televizionit NBC se autori i sulmit ka qenë një person rreth 30 vjeç. Në një video të publikuar në rrjetet sociale shihen shumë njerëz të habitur dhe duke vrapuar për të gjetur ndonjë vend të sigurt.

I organizuar për herë të parë më 1979, Festivali i Hudhrës në Gilroy, ka qenë në përfundim të ditës së tretë dhe të fundit për këtë vit.

Ai njihet për aktivitete të ndryshme ku hahet akullore, ushqime të gatuara me hudhër, zhvillohen gara me ushqim dhe ka luhet muzikë argëtuese. Por nga një festë, është kthyer në një ngjarje të frikshme.

Skip to toolbar