Shqipëria e ka nisur me dështim aventurën në Lojëra Olimpike Europiane “Minsk 2019”. Sporsitët që përfaqësojnë Shqipërinë kanë garuar këtë të shtunë, por asnjëri prej tyre nuk ka fituar, duke u mundur në duelet që kanë zhvilluar.
Qitësit Manuela Delilaj dhe Henri Rrufa ishin të parët që garuan në garën 10m pistoletë në ajër. Dy sportistët shqiptarë u renditën në vendin e 27-të, duke grumbulluar në total 554 pikë, të cilat nuk mjaftuan që dy qitësit shqiptar të vijonin më tej.
Boksieri Arjon Kajoshi garoi në peshën 75kg, por edhe ai nuk shkoi më tepër se sa mbyllja e garës që në raundin e parë, pasi u mund 4-1 ndaj bjellorusit Vadzim Pankou. Që në duelin e parë është mundur dhe xhudisti Indrit Çullhaj ndaj sllovenit Adrian Gomboc, në peshën -66 kg.
Megjithatë, lajmi i mirë për shqiptarët në përgjithësi dhe Kosovën në veçanti, ishte triumfi i xhudistes Majlinda Kelmendi. 28-vjeçarja arriti të shpallej kampione e Europës duke fituar katër duelet në këtë olimpiadë. Për xhudisten Kelmendi kjo ishte medalja e parë e artë në këto lojëra e po ashtu edhe për Kosovën.