Merrte gruan me vete për të trafikuar drogë, kapet me 70 kg kanabis

Policia Kufitare ka bërë të mundur ndalimin e një shtetasi i cili transportonte lëndë narkotike, të llojit marijuanë. Mjeti i tipit “Mitsubishi” me targa AA031VJ është në pronësi të shtetasit Arsen Hoxha, i cili po kalonte në Qafë-Botë, kur u pikas nga policia e Sarandës.

40-vjeçari po udhëtonte nga Cakrani i Fierit për në Greqi së bashku me bashkëshorten e tij, ndërsa policia ka ndaluar mjetin, i cili i është nënshtruar kontrolleve të mëtejshme. Gjatë verifikimeve në mjet janë gjendur mbi 70 kg sasi droge e llojit cannabis duke bërë që Hoxha të arrestohej për trafikim lëndësh narkotike.

Shtetasi Hoxha nuk është i panjohur për policinë pasi në vitin 2014 ka qenë i arrestuar për trafik klandestinesh në Sarandë. Mjeti i tij po i nënshtrohet kontrollit nga policia kufitare e Sarandës, ndërkohë që detaje të reja në lidhje me ngjarjen pritet të bëhen publike në orët në vijim.

U kapën me 4.6 kg drogë, pranga katër të rinjve në Korçë

Policia e Korçës arrestoi katër të rinj, tre nga Shijaku dhe një nga Tirana. Ata kapën duke transportuar 4.5 kg lëndë narotike kanabis në qytetin e Korçës. Në pranga janë vënë shtetasit me incialet A.J., 27 vjeç,  B.J., 32 vjeç, H.U., 24 vjeç të tre banues në Xhafzotaj, Shijak. Gjithashtu në pranga u vu dhe shtetasi E.T., 28 vjeç, banues në Babrru, Tiranë.

“Arrestimi i tyre u bë pasi, nga informacione të siguruara në rrugë policore, si edhe gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë kanë ushtruar në hyrje të qytetit të Korçës, në mjetin tip “Peugeot”, me drejtues shtetasin E.T., me të cilin këta shtetas po udhëtonin, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 4,6 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”.

Kapet banda me drogë dhe arsenal armësh

Policia e Shtetit vuri në pranga dy persona, ndërsa një tjetër u procedua në gjendje të lirë, pasi akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike dhe mbajtje të armëve pa leje. Konkretisht, u arrestuan shtetasit me inicialet A. L., 54 vjeç, lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Dhuna në familje”.

Arrestimi u bë për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike. Gjithashtu u arrestua shtetasi E. K., 25 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi D. K., 23 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë, shërbimet e Policisë Kufitare pas njoftimit të dhënë nga Sektori i Narkotikëvë në Policinë e Tiranës, është bërë ndalimi i automjetit tip autoveturë i markës Mercedes Benz, me drejtues shtetasin A. L.

Pas kontrollit të këtij automjeti, në pjesën e dyshemesë poshtë sediljes së shoferit është konstatuar një hapje e strukturës metalike, në brendësi të së cilës janë gjetur 19 pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa, me peshë 13 kg, të cilat u sekuestruan së bashku me automjetin dhe dy celularë.

Po në vazhdën e këtij procedimi penal, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në rrugën “Shefqet Kuka”, Tiranë, është ushtuar kontroll në banesat e shtetasve E. K. dhe D. K. Gjatë kontrollit në ambientet pranë banesës së shtetasit E. K. është gjetur një armë armë zjarri kallashnikov. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit D. K. në ambientet e banesës së këtij shtetasi u gjetën dy armë gjahu, për të cilat nuk dispononte leje. Armët e zjarrit dhe armët e gjahut u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, në ngarkim të shtetasit A. L., për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, në ngarkim të shtetasit E. K. dhe për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, në ngarkim të shtetasit D. K.

I gjendet kanabis dhe armë, në kërkim 42-vjeçari në Skrapar

Policia e Beratit shpalli në kërkim një 42-vjeçar, me inicialet D.H., banues në fshatin Barç të Skraparit. Ky shtetas, që mbante detyrën e kryeplakut të këtij fshati, është në kërkim pasi gjatë në banesën e tij është sekuestruar 15 kg kanabis dhe një armë gjahu.

“Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se shtetasi D. H. posedonte lëndë narkotike, u ushtrua kontroll në banesën dhe magazinën e tij, ku u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 15 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe një armë gjahu teke”, thuhet në njoftim.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut”, “Shpërdorim detyre” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”.

U nis për punë në ndërtim, shqiptari përfundon kopshtar i kanabisit

Emigroi për të punuar në fushën e ndërtimit, por përfundon duke mbjell kanabis në fabrikë dhe banesë. Ngjarja ndodhi në Londër, ku policia gjatë një kontrolli zbuloi rrënjët e mbjella të kanabisit në banesën ku jetonte shqiptari Ibrahim Berdellima.

Policia britanike sekuestroi 382 rrënjë kanabis të ndara në 5 dhoma të ndryshme. Shqiptari ishte emigrant i paligjshëm në vend dhe kishte nisur punë në ndërtim kur mbërri para 4 vitesh në vend.  Nevoja për para bëri që ai të pranonte punën në një fabrikë kanabis ku iu premtua një rrogë 1000 paund në muaj, por nuk mori kurrë më shumë se 200 paund sa për të ngrënë bukë.

Punën ia siguruan disa persona që, Berdellima nuk i njihte me emër dhe shfaqeshin një herën muaj në fabrikën e kanabisit. Gjykata dënoi shqiptarin me 22 muaj burg, ndërsa gjatë seancës ai nuk foli po pranoi fajin e tij.

Sipas avokates mbrojtëse, Berdellima pranoi këtë punë pasi i nevojiteshin për familjen që duhet të mbante në Shqipëri.

Super aksioni i policisë në Krujë, Lleshaj: Koha e kanabisit ka mbaruar, e ardhmja në BE

19 persona të arrestuar dhe 7 të shpallur në kërkim, ishte bilanci i një super aksioni të Policisë së Shtetit, zhvillur në Krujë kundër kultivimit të kanabisit. Mbrëmjen e të enjtes, disa orë pas aksionit, ka reaguar me një postim në Tëitter, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. Ai shkruan se “koha e kanabisit ka mbaruar në Shqipëri”, duke theksuar se e ardhmja jonë “janë vlerat evropiane”.

“Operacioni i madh policor kundër kanabisit sot në Krujë është një tjetër goditje e fortë që shpreh vullnet të palëkundur politik dhe kapacitete të plota operacionale. Për ata që ende s’e kanë kuptuar: ka mbaruar historia e kanabisit në Shqipëri. E ardhmja jonë janë vlerat europiane. Jo kanabisi! Respekt për angazhimin e Policisë së Shtetit”, përfundon Sandër Lleshaj.

Personat e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, akuzohen se kanë kultivuar bimë narkotike në zonën e pyllëzuar të fshatrave Shkretë, Mafsheq, Nojë, Qafë Shtamë, Picrragë, Brret, Borizanë të Bashkisë Krujë, ku në periudha të ndryshme, janë gjetur dhe asgjësuar kubikë të kultivuar me fara kanabis dhe fidanë narkotike Canabis Sativa.

Po transportonte drogë me vlerë 1.2 milion euro, arrestohet shqiptari në Itali

Policia italiane ka arrestuar një 27-vjeçar shqiptar, me inicialet N.R. Ky person është arrestuar nga policia e Bolonjës, pasi po transportonte në mjetin e tij një sasi prej 200 kg marijuanë. Arrestimi është bërë në flagrancë, gjatë kohës që i riu shqiptar ishte duke transportuar drogën në autosdradën Bolonjë-Fiera. 

Policia fillimisht ka pikasur të riun që po lëvizte me shpejtësi të madhe në autosdradë. Pas këtij momenti, policia është vënë në ndjekje të të riut, të cilin kanë arritur ta ndalojnë pas disa kilometrash.

Gjatë kontrollit, policia i ka gjetur të riut brenda mjetit njëqind pako marijuanë, me një peshë totale 208 kg, e cila ishte e përgatitur gati për tregun e pakicës. Sipas policisë vlera e drogës së sekuestruar nëse do të shitej shkonte rreth 1.2 milionë euro. Shqiptari është arrestuar dhe do të gjykohet nga Gjykata e qarkut të Bolonjës.

Tentoi të mbillte kanabis, policia arreston të riun në Burrel

Policia e Matit ka arrestuar një 28-vjeçar i shpallur në kërkim, pasi për të ishte dhënë masa e sigurisë “arrest me burg”, për veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Me anë të një njoftimit zyrtar, Policia e Shtetit ka sqaruar se gjatë të enjtes, shërbimet e komisariatit të Matit, kanë finalizuar operacionin “German” duke arrestuar shtetasin me inicialet A.Gj., 28 vjeç, banues në Burrel.

Gjatë muajit korrik, policia e Matit, gjatë kontrollit në afërsi të banesës së ktij shtetasi, në fshatin “German”, ka zbuluar se ky shtetas ka tentuar të kultivojë bimë narkotike të dyshuara Cannabis Sativa, në kubikë.

Nga kontrolli i ushtruar në banesë i janë gjetur dhe sekuestruar municion luftarak dhe vegla të ndryshme për pastrimin e armëve të zjarrit. Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat për veprime të mëtejshme.

Kultivuan bimë narkotike në pyllin e fshatit, 4 të arrestuar në Vlorë

Policia e Vlorës ka sekuestruar një sasi bime narkotike dhe ka vënë në pranga 4 shtetas si kultivues të saj. Gjatë aksionit të koduar “Beshishti”, u sekuestruan 45 fidanë kanabis të mbjella në tokë dhe 100 kubikë të kultivuar me fara kanabis. Lënda narkotike u sekuestrua në pyllin e fshatit Beshisht, ndërsa u vunë në pranga 4 persona të kapur në flagrancë , konkretisht shtetasit S. Z., 24 vjeç, banues në Vlorë, D. H., 25 vjeç, banues në Llakatund, A. B., 34 vjeç, banues në Peshkëpi, P. K., 47 vjeç, banues në Vlorë. Arrestimi i tyre u bë pasi këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se janë autorë të kultivimit të bimëve narkotike.

Po nga kontrolli i territorit në zonën e Selenicës, në një zonë të pyllëzuar në Gjormë u gjetën edhe 40 fidanë kanabis. Në lidhje me këtë ngjarje, u proceduan penalisht për “Shpërdorim detyre”  kryeplaku i fshatit Gjormë P. S., 49 vjeç,  dhe inspektori i Drejtorisë së Pyjeve dhe Kullotave në Bashkinë Selenicë, A. V., 56 vjeç.

I iku policisë dhe braktisi makinën me 25 kg kanabis, kapet kolonjari

Policia ka arrestuar një 38-vjeçar nga Kolonja, pasi në datën  13 prill të këtij viti, ky shtetas u largua duke mos ju bindur patrullës së Policisë në Pogradec, dhe më pas braktisi mjetin e tij me 25 kg lëndë narkotike kanabis në afërsi të fshatit Udenisht. Sipas një njoftimi të policisë, mësoyhet se është vënë në pranga shtetasi me inicialet E.J., 38 vjeç banues në fshatin Selenicë të Kolonjës.

Shtetasi i mësipërm, ishte shpallur në kërkim lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 13.05.2019, ndodhur në vendin e quajtur “Enkelana”, Pogradec, i cili për të shmangur kontrollin policor, është larguar me shpejtësi dhe ka braktisur mjetin e tij tip “Benz” në afërsi të fshatit Udënisht.

Gjatë kontrollit të automjetit shërbimet policore kanë gjetur në bagazh, një sasi prej 25 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis. Ndaj 38 vjeçarit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Skip to toolbar