Nëse të ka skaduar afati i përdorimit të kartës së identitetit duhet menjëherë të aplikosh për një të re. Tani është momenti i duhur, pasi dhe fluksi i aplikimeve ka rënë. Mos e lër për më vonë pasi shumicës së popullsisë karta i skadon në tetor-nëntor.
Zv/ministrja e Brendshme ka kërkuar nga qytetarët që i kanë Kartat e Identitetit në prag skadimi, që të aplikojnë sa më parë për një të re.
“Kemi vënë re një ulje të fluksit të kartave të identitetit kohët e fundit, kjo ndoshta dhe për shkak të vendimit të qeverisë për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë. I bëjmë thirrje qytetarëve të vinë dhe të aplikojnë, të mos e lënë për në momentin e fundit, për në dhjetor, pasi do të ketë një fluks tjetër të madh, lëshimi i pasaportave biometrike. Kjo do të vështirësojë pajisjen me karta identiteti”, – u shpreh Voda.
Shumë qytetarëve këtë vit iu skadon Karta e Identitetit pasi është plotësuar 10 vjeçari dhe për të shmangur radhët në sportele, ministria e Brendshme herë pas here ka bërë thirrje për aplikim për të renë sa më parë.