“Plumb në shpatull”, vëllai i Reçit tregon detajet e vrasjes

I vëllai i Kastriot Reçit, 47-vjeçarit të vrarë të martën në Mirditë në atentat, tregon detaje nga ngjarja e rëndë. Sipas një deklarate që transmeton Balkanëeb, i vëllai i Kastriot Reçit rrëfen se ishte së bashku me të në momentin që ai u qëllua me snajper. Sipas rrëfimit të vëllait të viktimës, ata të dy sapo kishin zbritur nga makina dhe do futeshin në një lokal. Por ata ishin ndarë vetëm disa sekonda para se 47-vjeçarit ti merrnin jetën.

 “Ne sapo kishim parkuar makinën dhe u nisëm drejt lokali ‘Mirdita’. Kastrioti po fliste në telefon dhe unë vazhdova më para dhe u futa në lokal. Akoma nuk isha ulur në karrige kur dëgjova njerëz tek bërtisnin dhe grumbulloheshin. Dola menjëherë i habitur pasi as krisma nuk dëgjova, dhe pashe vëllain të shtrirë përmbys.

Nuk kishte shumë gjak në rrugë dhe menjëherë e dërguam tek spitali. Kur e zhveshëm në spital, pamë që ai kishte marrë një plumb mes dy shpatullave dhe kishte ndërruar jetë menjëherë”, ka rrëfyer për të afërmit vëllai i viktimës. Ceremonia e varrimit e 47-vjecarit do bëhet sot në orën 14:00. Brenda dy vitesh, 2 nga 7 vëllezërit Reçi janë vrarë në atentate.

Vrasja e biznesmenit Reçi, kamerat e sigurisë filmojnë autorin

Të tjera detaje kanë dalë nga vrasja e biznesmenit Kastriot Reçi në Rrëshen të Mirditës. Ngjarja e ndodhur mëngjesin e të martës, sipas Balkanweb, është regjistruar nga kamerat e sigurisë të objekteve afër vendit ku ndodhi ekzekutimi i biznesmenit.

Autori është filmuar nga kamerat e sigurisë, teksa është larguar me vrap në këmbë dhe i maskuar pas vrasjes. Autori qëlloi biznesmenin Reçi nga taraca e një pallati me një armë snajper. Më pas, autori zbriti nga taraca e pallatit dhe u largua, ndërsa armën e la në katin e parë të pallatit.

Ndonëse momenti i largimit të ekzekutorit nga vendi i ngjarjes është regjistruar nga kamerat, identifikimi i tij është i vështirë pasi ka pasur maskë në kokë. Ndërkohë, policia ka vënë në dispozicion një shumë financiare për këdo që ka informacion për autorin e kësaj vrasje.  

Biznesmeni Reçi u qëllua me snajper, arma gjendet në tarracën e një pallati

Biznesmeni Kastriot Reçi dyshohet se është vrarë me snajper. Dyshimet e para të policisë për ekzekutimin e Reçit me snajper erdhën pas dëshmive kontradiktore në vendin e ngjarjes, por disa minuta më vonë, gjatë kontrolleve në një pallat pranë vendit të ngjarjes, është gjetur një snajper i braktisur, armë që dyshohet se është përdorur pikërisht për ekzekutimin e 47-vjeçarit.

Sipas të dhënave nga policia, snajperi u gjet në tarracën e një pallati gjatë kontrolleve të ushtruara nga forcat e policisë, të cilat janë mbështetur edhe nga reparti special RENEA. Ndërkohë në vendngjarje kanë shkuar Drejtori i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj si dhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Arma e gjetur në tarracë është dërguar menjëherë për ekspertim, ndërsa policia po bën këqyrjen e kamerave të bizneseve në zonë për të bërë të mundur identifikimin e autorëve. Po ashtu, policia ka pyetur banorët e pallatit, ku u gjet snajperi për lëvizje të dyshimta në pallat, me qëllim identifikimin e personit ose personave të dyshuar që ekzekutuan Kastriot Reçin.

Dyshimet e para për përdorimin e snajperit lindën pikërisht pas dëshmive në vendngjarje, ku personat e pranishëm ishin kontradiktorë. Një dëshmitar u shpreh se ai pranë Reçit kaluan disa të rinj, kur u shemb përtokë, ndërsa të tjerë thoshin se nuk kishin dëgjuar krisma. Po ashtu pati edhe dëshmi se kishin dëgjuar disa krisma. Pikërisht për shkak të këtyre dëshmive, policia zgjeroi rrethin e vendit të ngjarjes, duke ngritur dyshime se ai ishte vrarë nga larg dhe që në këto kushte sollën zbulimin e snajperit.

Gjetja e snajperit komplikon dhe më shumë hetimet, pasi policia dyshon se vrasja është kryer nga profesionistë, duke pasur parasysh edhe faktin se nga këqyrja paraprake, nuk është gjetur asnjë gjurmë në armën e braktisur.

Kushëriri i Kastriot Reçit u shua familjarisht nga tërmeti i 26 nëntorit

Kastriot Reçi i cili u ekzekutua në mes të Rrëshenit mesditën e së martës, është kushëriri i Eduard Reçit, i cili u shua bashkë me familjen në tërmetin e 26 nëntorit.

Eduard Reçi humbi jetën familjarisht si pasojë e shembjes së pallatit 6 katësh në Durrës nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit. Eduarti humbi jetën së bashku me bashkëshorten Dolora dhe dy fëmijët Klaus e Kristi Reçi. Madje u konfirmua për CNN nga zyra e kryeministrit se vajza e tij Kristi, ishte e fejuara e djalit të kryeministrit Rama, Gregorit.

Pas shuarjes së familjes së kushëririt Kastriot Reçi ka bërë një postim në Facebook,  ku shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të kushëririt.

“Lamtumirë kampion! Familja që ju krijuar ishte dhe do të jetë një shembull i shkëlqyer për të gjithë ne”, shkruante Kastriot Reçi në nëntor të 2019.

Ekzekutimi i Reçit, AMA: “Media Plus” iu hoq licenca në vitin 2018

Ekzekutimi në Rrëshen i Kastriot Reçit ka sjellë edhe reagimin e Autoritetit të Mediave Audiovizive, që ka deklaruar se televizionit të tij “Media +” i është hequr licenca në vitin 2018.

“AMA në përgjigje të interesit publik, sqaron se shtetasi Kastriot Reçi nuk rezulton të jetë pronar i asnjë televizioni apo subjekti tjetër. Kastriot Reçi ka qenë ortak i televizionit “M+”, të cilit i është hequr licenca me vendim Bordi të AMA-s në vitin 2018”, thuhet në reagimin e Autoritetit të Mediave Audiovizive, ndërsa shpreh keqardhje për humbjen e jetës së shtetasit Kastriot Reçi dhe i shpreh ngushëllimet familjes.

Dëshmitari: Isha 4 metra larg, Kastrioti vdiq në vend. Gjithë Rrësheni ia di konfliktet

Një dëshmitar në vendngjarje ku është vrarë Kastriot Reçi në qytetin e Rrëshenit ka deklaruar se ka qenë vetëm 4 metra larg tij dhe se Kastrioti ka ndërruar jetë në vend. Ai nuk ka dhënë shumë detaje por ka konfirmuar se vrasja ka ardhur për shkak të konflikteve që ka pasur viktima. Ai ka theksuar se gjithë Rrësheni ia di konfliktet Kastriot Reçit.

 “I dimë konfliktet. Jam ndodhur 5 metra larg tij. Ishim 3-4 veta që po kalonim kot rastësisht. Ai ndërroi jetë direkt, gjynah. Moshë e re. Njihet me precedent. I dimë konfliktet”, tha dëshmitari i ngjarjes për News24.

Dëshmitarë në vendin e ngjarjes kur u ekzekutua pronari i televizionit lokal, ngrenë dyshime se ndaj Kastriot Reçit mund të jetë qëlluar me snajper. Fillimisht u tha se ndaj tij u qëllua me breshëri armësh nga një makinë në lëvizje por më pas të tjerë persona thonë se askush nuk ka dëgjuar zhurmë arme, ndërsa në vendin e ngjarjes nuk ka njolla të shumta gjaku. Ndërsa policia në njoftimin paraprak për mediat tha se vrasja ka ndodhur në rrethana të paqarta.

Vrasja e pronarit të “Media Plus” nga droga te hakmarrja dhe 3 vrasje në 4 vite

Kastriot Reçi, 47 vjeç, pronar i televizionit lokal “Media Plus” në Lezhë është ekzekutuar të martën në Rrëshen. Biznesmeni është vrarë pranë lokalit të tij, ndërkohë që emri i tij për policinë është skeduar shumë vite më parë, pavarësisht se menjëherë pas krimit, policia tha se ekzekutimi i tij është bërë në rrethana të paqarta. Ai është dyshuar prej disa vitesh, si për trafik droge, ashtu edhe për vrasje, krime nga të cilat dyshohet se ka ardhur edhe vrasja e sotme në qytetin e Rrëshenit.

Sipas të dhënave nga policia, Kastriot Reçi ka qenë i skeduar vite më parë për trafik droge jashtë vendi, ndërkohë që në vitin 2016, ai u shpall në kërkim nga policia e Lezhës pas zbulimit të 3 tonëve kanabis në një magazinë në Mirditë që ishte në pronësi të tij. Katër vite më parë, Policia në kuadër të operacionit “Befasia” zbuloi në Mirditë një magazinë droge dhe arrestoi 22 persona. Sipas policisë, pronari i kësaj magazine ku u gjetën 3 ton drogë ishte biznesmeni i njohur i zonës, Kastriot Reçi, banues në Rrëshen, Mirditë. Por, një ditë pas shpalljes në kërkim, vëllai i tij paraqiti në prokurori një kontratë qiraje, ku rezultonte se magazina i ishte lëshuar një shtetasi nga Lazarati. Emri i tij u rikthye në media një vit më vonë, kur në Itali u ekzekutua vëllai i tij, Gaspër Reçi, duke e lidhur këtë krim me dy vrasje të tjera.

Gjithçka mendohet se lidhet me drogën dhe hakmarrjen, por këto kanë mbetur vetëm në kuadrin e dyshimeve të policisë, pasi deri më sot nuk është vërtetuar asnjë akuzë, si për Reçin, ashtu edhe për personat e tjerë të përfshirë në një varg vrasjesh, 4 me ekzekutimin e sotëm të Reçit.

Konkretisht, më 9 shtator 2016 pak kohë pas zbulimit të magazinës me drogë, në Rrëshen u vra Sajmir Jaku, drejtor i OSHEE. Dy persona të armatosur kanë qëlluar për vdekje drejtuesin e linjës së Tensionit të Lartë për veriun në OSHEE Saimir Jakun, ndërkohë që një tjetër person mbeti i plagosur. Jaku është qëlluar me kallashnikov, teksa ka qenë duke pirë kafe në një nga lokalet e zonës më të frekuentuar të qytetit të Rrëshenit bashkë me një shok të tij. Autorët braktisën automjetin tip “Benz-Mercedes” në fshatin Gallatë të Kurbinit ku e kanë djegur dhe më pas u larguan. Policia nuk zbuloi asnjë autor.

Ndërkohë, më 28 prill 2017, një shqiptar është ekzekutuar më 4 plumba në Romë. Ai rezultoi se ishte Gasper Reçi, 43 vjeç nga Rrësheni, vëllai i Kastriot Reçit, i cili u vra në banesën e tij në Via Simeri Crichi, në Tor Vergata. Nga hetimet në atë kohë nuk u arrit të identifikohej asnjë person si i dyshuar për atentatin, pasi në momentin që është vrarë shqiptari nuk ka pasur asnjë person në vendngjarje. Në momentin që është qëlluar në banesën e Reçit ka qenë vetëm vajza e tij. Edhe pse ambulanca ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, Gasper Reçi nuk ka mund të shpëtojë, pasi plagët e marra i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Hetuesit italianë bënë të ditur se Gasper Reçi kishte disa precedent penal në të kaluarën për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Sipashetimeve, Gasper Reçi dyshohet se u ekzekutua për vrasjen e ndodhur në Mirditë, por asnjëherë nuk u dhanë detaje të mëtejshme, ndërsa vrasja e tij u pasua me një tjetër ekzekutim.

Më 6 Shtator 2017, në Belgjikë u vra Kreshnik Gjini. 31-vjeçari u ekzekutua në komunën Forest të Belgjikës. Ai u qëllua me dy plumba nga dy persona të maskuar dhe të panjohur. E gjithë ngjarja ndodhi para syve të koleges së tij të punës, Liliane.

Kreshnik Gjini punonte kamerier në një lokal në Saint-Denis. Bashkë me kolegen shkuan drejt parkingut, ku shqiptari kishte makinën. Sapo 31-vjeçari u fut në automjet, aty u shfaqën dy persona të maskuar. Ata e qëlluan me dy plumba duke e lënë të vdekur në vend. Dyshohet se vrasja e Gaspër Reçit të jetë bërë si hakmarrje për vrasjen e Saimir Jakut, ndërsa vrasja e Kreshnik Gjinit të jetë bërë në hakmarrje të vrasjes së Gaspër Reçit. Në secilën ngjarje morën pjesë dy autorë, por për asnjërën prej tyre nuk është ndaluar apo arrestuar njeri. /Realstory.al/

Vritet në Rrëshen Kastriot Reçi, pronari i televizionit lokal. Para tre vitesh i vranë vëllanë

Vritet me armë zjarri pronari i televizionit lokal në qytetin e Lezhës “Media plus”. I vdekur ka mbetur Kastriot Reçi, 47 vjeç, i cili është qëlluar me breshëri automatiku nga dy persona nga një makinë në lëvizje, pranë ambienteve të lokalit të tij në Rrëshen.

Ende nuk dihen detajet e ngjarjes ndërkohë që policia ka mbërritur në vendngjarje dhe grupi i punës po heton për zbardhjen e vrasjes dhe për kapjen e autorëve.

Tre vite më parë Kastriot Reçit iu vra i vëllai në Itali. Gasper Reçi u vra në Romë të Italisë, dyshohet për prishje të pazareve të drogës.

Vetë Kastrioti ka shkruar në atë kohë në profilin e tij në Facebook, se të vëllanë ia vranë pas shpine, por pa përmendur ndonjë shkak për këtë ngjarje.

“Vëllai ynë Gasper kishte 20 vite që jetonte në Romë bashkë me gruan dhe dy fëmijët e tij. Gasper Reçi ishte pagëzuar dhe martuar në kishën Katolike Romane. Bashkë me gruan dhe dy femijët e tij shkonin çdo të diel dhe luteshin.

Ai besonte dhe mendonte se Jetën ta dhuron Zoti dhe vetëm Zoti ka të drejtë ta marrë atë… Gasper Reçi u qëllua pas shpine rrugës teksa po kthehej në shtëpi ku po e prisnin bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij”, shkruante Kastrioti në një postim në facebook në maj të 2017.

Kastriot dhe Gasper Reçi
Skip to toolbar