Komisioneri Publik ka ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, vendimin e dhënë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për gjyqtarin Kastriot Selita.
Selita, kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, kaloi fazën e parë të vetingut në KPK, por ky vendim u ankimua nga vëzhguesit ndërkombëtarë ONM dhe Komisioneri Publik duke dorëzuar dosjen e tyre në KPA. Në animimin e tyre thuhet se vlerësimi për Kastriot Selitën nuk ishte i plotë dhe si i tillë nuk mjafton për t’u konfirmuar në detyrë.
“Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të tria kriteret e rivlerësimit nuk është i plotë, duke u konsideruar si i tillë, i pamjaftueshëm për të konfirmuar në detyrë z. Kastriot Selita. Mbështetur dhe në rekomandimin e Komisionit prej tre vëzhguesish ndërkombëtarë të ONM-së, për të ankimuar vendimin nr. 161, datë 18.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisioneri Publik, nëpërmjet këtij ankimi, i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të gjykojë mbi të tria kriteret e rivlerësimit dhe, në përfundim të shqyrtimit të këtij ankimi, në varësi të rezultateve të hetimit gjyqësor, të vendosë ndryshimin ose lënien në fuqi të vendimit të lartpërmendur të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit” thuhet në njoftimin e Komisionerit.
Selita kaloi fazën e parë të vetingut në KPK me trupën gjykuese të kryesuar nga Olsi Komici kryesues, relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtar Lulzim Hamitaj. Gjatë rivlerësimit të tij, vëzhguesit ndërkombëtar Hans Kijlstra, nuk u bind te pastërtia e Selitës duke kërkuar ankimimin e vendimit në KPA.