Kallëzim penal kreut të bashkisë për shpërdorim detyre

Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka depozituar në gjykatë një kallëzim penal ndaj kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja. Kallëzim gjithashtu është bërë edhe ndaj drejtoreshës së Zhvillimit Urbanistik dhe kryeinspektorit të Mbrojtjes së Terriorit në këtë bashki me akuzën e shpërdorimit të detyrës në dhënien e lejeve për shtatë objekteve shumëkatëshe në dëm të territorit publik.

Isa Sakja është në krye të Bashkisë së Kavajës prej dy vitesh dhe i përket Partisë Demokratike, ndërsa më herët ai është akuzuar edhe nga kryeministri Edi Rama.

Njoftimi për kallëzimin nga IKMT

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kallëzon penalisht pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, kryetarin e Bashkisë, Isa Sakja. Kryebashkiaku i Kavajës akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Së bashku me Kryetarin e Bashkisë, IKMT ka kallëzuar penalisht edhe drejtoreshën e Drejtorisë së Kontrollit, Zhvillimit Urbanistik dhe Pronave, si dhe Kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Bashkia Kavajë, Dritan Kazazi. Gjatë kontrolleve periodike që ushtron IKMT në bazë të ligjit në të gjitha bashkitë e vendit, ka vërejtur se në Bashkinë e Kavajës, personat e akuzuar, duke vepruar, apo mosvepruar në dhënien e lejeve të ndërtimit, apo kontrollit të ligjshmërisë, kanë cënuar interesin publik dhe territorin publik në të paktën shtatë objekte shumëkatëshe të ngritura në territorin e bashkisë Kavajë.

IKMT shpreh vendosmërinë e saj, në mbrojtjen e territorit kundër abuzimeve të paligjshme, apo “të kopsitura” nga zyrtarë që shkelin ligjet dhe besimin e qytetarëve.

Skip to toolbar