Kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, ka hedhur akuza se anëtarë të partisë së tij po merren peng dhe po kërcënohen. Patozi nuk jep detaje dhe nuk tregon se kush po i bën presion anëtarëve të Bindjes Demokratike, por shkruan se “nuk ia vlen të merremi me inkuizitorët, ndonëse i njohim me emra”. Reagimi i Patozit erdhi pasi 3 kandidatë për kryetarë bashkie të Bindjes Demokratike u tërhoqën nga gara për zgjedhjet e 31 qershorit.
Postimi i plotë i Astrit Patozit:
“Nuk na ndalin dot, ndaj janë tërbuar
nga dëshpërimi. Krenarë për atë që kemi bërë në kaq pak ditë dhe mirënjohës për
gjithkënd që mbështeti dhe besoi tek BINDJA DEMOKRATIKE. Sot jemi realisht
shumë më tepër dhe shumë më të fortë se në ditën e parë. Asnjë peng për ata që
u ndanë prej nesh për shkak se u kapën për fyti dhe u lidhën prej këmbësh nga
të dëshpëruarit e sistemit, të cilët ndjehen tmerrësisht të kërcënuar nga era e
BINDJES DEMOKRATIKE.
Shikojeni vetë si janë shpërfytyruar, sa
kanë nisur me tërbim një fushatë të egër kundër nesh, që të kujton gjuetinë e
nazistëve ndaj ebrenjve, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kurrë më parë
nuk ka ndodhur që një partie politike, ndonëse fare e re, t’i sulmohen,
përgjohen dhe merren peng, që nga firmëtarët e deri tek kandidatët e saj për
zgjedhjet e 30 qershorit. Është e pashmbullt kjo që po ndodh, por ajo konfirmon
gjithashtu se ne kemi bërë gjënë e duhur në kohën e duhur.
E kanë kot. Sepse nuk na ndalin dot, ndaj
edhe janë kaq të acaruar. Nuk ia vlen të
merreni me inkuizitorët, ndonëse i njohim me emra, ua dimë edhe zyrat ku i kanë
thirrur të penduarit, në prani të dëshmitarëve mediatikë. Sepse koha e tyre po
skadon me shpejtësi. Është koha e BINDJES DEMOKRATIKE”.