Basha kërcënon me burg prokurorët dhe gjykatësit e Elbasanit

Lulzim Basha e ka quajtur vendim burracakësh të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vendimin e Gjykatës së Elbasanit për lënien në burg të disa drejtuesve të degës lokale të PD-së në Elbasan dhe Librazhd, të cilët u arrestuan pasi penguan autokolonën e kryeministrit Edi  Rama në Prrenjas, gjatë kohës që shefi i qeverisë udhëtonte për një takim elektoral.

Prokuroria dhe gjykata e Elbasanit vendosi sot, të mbajë në burg Kryetarin e PD të Librazhdit zotin Bujar Vreto dhe kryetarin e PD të Prrenjasit zotin Arjan Karriqi, si dhe dy qytetarë të tjerë zotin Dashamir Boja dhe zotin Bujar Kllojku. Krimi i tyre është se kanë protestuar në buzë të rrugës ku kaloi Edi Rama”.

Është vendim burracakësh i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar të Edi Ramës. Është represion ndaj kundërshtarëve politikë i urdhëruar direkt nga Edi Rama. Qëllimi është vetëm një: persekutimi dhe trembja e kundërshtarëve politikë për të shuar protestën dhe përpjekjet kundër qeverisjes së kriminalizuar të Edi Ramës”, u shpreh Basha gjatë një konference për shtyp që mbajti nga selia Blu.

Më tej, Lulzim Basha ka ashpërsuar tonin duke iu drejtuar gjyqtarëve dhe prokurorëve të Elbasanit. Sipas kreut të opozitës, gjyqtarët që lanë pas qelive drejtuesit e PD-së në Librazhd dhe Prrenjas, së shpejti do të përfundojnë në burg.

Edi Rama mund t’ju ketë premtuar se do t’jua falë korrupsionin dhe shkeljet ligjore. Edi Rama mund t’ju ketë premtuar se do ta kaloni vetingun. Kurse unë dua t’ju premtoj se shpejt do ta shoqëroni Edi Ramën përpara drejtësisë. Prokurori dhe gjykatësi i korruptuar është funksionari më i rrezikshëm në shoqëri. As njerëzit dhe as unë nuk do ta harrojnë dhe tolerojmë krimin dhe korrupsionin tuaj”, tha ndër të tjera Basha, duke e mbyllur fjalën e tij me një ftesë për qytetarët për tu bashkuar në protestën e së premtes së ardhshme.

Skip to toolbar