Presioni i vazhdueshëm i aleatëve ndaj Bashës, ka dhënë rezultatet e para. Partitë e vogla të opozitës kanë paraqitur plaformën e tyre, me 7 kërkesa ndaj kreut të PD Lulzim Basha. Thelbi i kërkesave është institucionalizimi i raportit mes partive opozitare dhe pasja e një qëndrimi të përbashkët politik. Dy, nga 7 kërkesat, duken më të rëndësishme. Aleatët i kërkojnë Lulzim Bashës ngritjen e “grupit të punës për marrëdhëniet ndërkombëtare” dhe “krijimin e Senatit të Opozitës”.
Po cili është thelbi i këtyre kërkesave? Duke pasur parasysh faktin që PD dhe opozita është bojkotuar nga partnerët ndërkombëtar në aksionin e saj, aleatët i bëjnë “presion” Lulzim Bashës për të ridimensionuar marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Ashtu si ish-drejtues të PD, të përjashtuar nga Basha, të cilët kanë kërkuar një afrim me ndërkombëtar, edhe aleatët e kryedemokratit, në kërkesën e tyre nxjerrin në pah këtë problem madhor për opozitën.
Në kërkesën 3, (grupi i punës për marrëdhëniet ndërkombëtare), aleatët i kërkojnë Bashës “përgatitjen e takimeve në Tiranë, Bruksel, Vjenë, Berlin, Washington, Londër e tj”. Ata kërkojnë gjithashtu, “dialog për zgjidhjen e krizës së rëndë politike me prezencën e ndërkombëtarëve, me prioritet zgjedhjet e lira”. Një tjetër kërkesë, është “rritja e bashkëpunimit me trupin diplomatik në Tiranë”, “krijimin e kontakteve me partitë apo grupimet politike aleate në BE dhe USA”. Një tjetër pikë intersante, po në kërkesat për “marrëdhëniet me ndërkombëtarët” është ajo e “Identifikimi i të gjitha marrëdhënieve politike dhe personale ndërkombëtare dhe përcaktimi i koordinatorëve në çdo shtet”.
Aleatët kërkojnë nga Basha që të krijohen mundësi për takime me në “BE, Bundestag, Kongresin Amerikan, Parlamentin Britanik dhe organizata të tjera ndërkombëtare në SHBA”, ndërsa në fund, aleatët kanë parashtruar dhe një tjetër kërkesë, që duket gjithashtu ineresante: “Qendrim i qartë për influencat Ruse dhe Kineze në ekonominë shqiptare, si kërcënim për sigurinë dhe pozicionin tonë si vend anëtar i NATO-s”, thuhet në kërkesat e aleatëve ndaj Bashës, në lidhje me ridimensionimin e marrëdhënieve me ndërkombëtarët.
Një tjetër kërkesë e rëndësishme, përsëri duket e huazuar nga “kritikët e Lulzim Bashës”, është ajo për krijimin e Senatit të Opozitës. Në thelb, kjo kërkesë synon hapjen e PD dhe vetë opozitës për tu afruar “Figura politike dhe qeverisëse të opozitës, si dhe figura intelektuale të artit, mjekësisë, Universiteteve, kulturës, me figuara të shquara, që janë jashtë vendit. Ofrimi i Intektualëve me emër, në emër të bashkëqeverisjes”. Po në këtë kuadër, shkon dhe kërkesa e 7-të, që kërkon krijimin e “Këshillit të ish deputetëve, Ish ministrave, në të gjitha legjislaturat dhe kryetarëve të bashkive”.
Kërkesat e tjera të aleatëve ndaj Lulzim Bashës, janë: “Institucionalizimi i vendimarrjes së kryetarëve të koalicionit opozitar; Tryeza ekzekutive në nivel Sekretari të Përgjithshëm ose n/kryetarësh, drejtuar nga PD; Grupi i Rinisë; Grupi i Medias dhe Këshilli i ish deputetëve, Ish ministrave, në të gjitha legjislaturat dhe kryetarëve të bashkive”. Aleatët kërkojnë gjithashtu një qëndrim të unifikuar për Reformën në Drejtësi dhe Reformën Zgjedhore, dy pika në fakt, ku brenda grupit opozitar ka pasur përherë përçarje. /Realstory.al/