Kërcënoi Zgurin, flet autori: Kërcënova dhe Ramën por më bëri…‘block’

Garda e Republikës mori në mbrojtje të premten më 5 korrik kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri. Kreu i KQZ kishte kërkuar mbrojtje për vete dhe familjen e tij, pasi kishte marrë një mesazh kërcënues në rrjetet sociale. Report TV, ka raportuar pasditen e të premtes, se ka zhvilluar një bisedë me personin që mendohet se ka qenë autor i kërcënimit të Klement Zgurit. Bëhet fjalë për shtetasin Emiljan Pjetri nga Shkodra, që aktualisht banon në Greqi. Sipas lajmit të Report Tv, personi në fjalë ka pranuar kërcënimin ndaj kreut të KQZ.

“Kam shumë vite që jam jashtë kam nja 10 vite që nuk vij në Shqipëri, jam në Athinë. Po shoh atje disa kriminelë si puna e Klement Zgurit, kujtojnë se mund të bëjnë çfarë të duan. Klement Zguri më shqetëson se është një këlysh i Ilir Metës. Nuk ka gardë republike që t’i mbrojnë nëse ata duan të bëjnë çfarë të duan vet. Këto kërcënime nuk i bëj si militant, i bëj për Shqipërinë, unë jam emigrant”, është shprehur Pjetri.

Megjithatë, ky kërcënim nuk është i vetëm, që Pjetri ka bërë ndaj politikanëve apo zyrtarëve të lartë në Shqipëri. Ai ka pohuar se të njëjtën gjë ka bërë dhe ndaj Kryeministrit Edi Rama apo presidentit Ilir Meta. Madje, Emiljan Pjetri kathënë se Rama i kishte bërë dhe ‘block’ në rrjetet sociale.

“Unë të njëjtën gjë ja kam bërë edhe Edi Ramës për armët kimike, ja kam bërë me telefon madje. Me arsyen që ka dashur të sjellë armët kimike në Shqipëri, prandaj e kërcënova Ramën. I kam thënë se nëse i sjell armët kimike do të kesh pasoja ti dhe familja jote. Edi Rama më ka bërë block në Facebook sepse nuk i pëlqen e vërteta. Arsyeja është që ata janë kriminelë. Ata e kanë bërë dynjanë me ikë nga Shqipëria. Do t’ja bëj nëse…nuk e bëj për Edi Ramën, jo e kërcënoj por ja bëj atij legeni”, thotë Pjetrit për gazetaren Kodra.

“Akuzë e rëndë, po ja bëj vërtetë. Nuk mund të tallet njeri me popullin”, thekson ai. “Edhe Ilir Metës ja kam bërë këtë punë unë. Jo tani për zgjedhjet se nuk ja kam numrin e telefonit se më ka bllokuar”, tregon shkodrani. “Policia më ka shpallur në kërkim mua? Policia shpall në kërkim kot. Unë mund të arrestohem por ata nuk e dinë se çfarë do bëj kur të dal nga burgu. Ata mund të kenë frikë kur të dal unë prej burgut pastaj”, rrëfen ai. “Edhe Ditmir Bushatit kur ishte ministër i Jashtëm, që bëri diçka jo të mirë për popullin, nuk po e jap arsyen”, përfundon ai.

Paloka: Zguri u kërcënua pse kërkoi zbatimin e ligjit

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka reaguar për kërcënimin e kreut të KQZ-së, Klement Zguri. Paloka tha se këto kërcënime ndodhin si pasojë se bashkëqeverisjes së Ramës me krimin, duke kërcënuar këdo që kërkon të zbatojë ligjin dhe të hedh dritë mbi manipulimet e numrit të votave në 30 qershor. Kërcënimet në adresë të Zgurit erdhën një ditë pas kërkesës së tij për hapjen e  kutive dhe vlerësimin e numrit real të votave.

Në Shqipërinë e Edi Ramës ku krimi i organizuar qeverisë bashkë me të, kushdo që guxon të zbatojë ligjin, kërcënohet nga bandat e Edi Ramës. Bandat prekin zgjedhjet, bandat mbushin kutitë, bandat blejnë vota dhe shantazhojnë votues, sot kanë kaluar çdo limit duke kërcënuar me jetë Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve z. Klement Zguri dhe familjen e tij. Partia Demokratike kërkon menjëherë arrestimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të banditit që, për pushtetin e Edi Ramës, kërcënon kreun e KQZ-së, për shkak të kërkesë së tij për të hedhur dritë mbi mbushjen e kutive dhe manipulimin e numrit të votuesve.” – tha Paloka

Paloka tha se Rama është përgjegjësi i vetëm për situatën e krijuar në vend dhe i bën thirrje të tërheq banditët që ka lëshuar rrugëve për të kërcënuar këdo që nuk i bindet.  

Zguri: Hetim për mospërputhjen e shifrave, KQZ: Dakord, por jo tani

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri ka kërkuar nisjen e një hetimi administrativ për shkak të mospërputhjes së shifrave të pjesëmarrjes në zgjedhjet e 30 qershorit. Zguri paraqiti disa fakte mbi të cilën bëri edhe kërkesën e tij për ngritjen e një hetimi administrativ.

“Kemi deklaratën e orës 11:00 të KQZ ku thuhet pjesëmarrja në votime 12%. Ndërkohë këtu kam tabelat në faqen e KQZ, ora 11:00 kur deklarata thoshte 12%, në tabelën është 6.19 %, gati gjysmë për gjysmë. Kur unë këtu jam i paqartë mendo sa i paqartë është publike. I kemi detyrim qytetarëve për transparencë në procesin zgjedhor. Në deklaratën para mediave të dielën, deklarova që KQZ do duhet të ndërmerrte një hetim administrativ kryesisht duke i bërë thirrje kolegëve të mi. Kjo që po kërkoj ndihmon kryesisht në rritjen e transparencën dhe në risjelljen e besimit të publikut në procesin zgjedhor. Propozimin e kam në tavolinë.” – tha Zguri

Anëtari i KQZ, Denar Biba tha se është dakord me propozimin e kryetarit Klement Zguri për të nisur një hetim administrativ nisur nga shifrat e ndryshme të pjesëmarrjes në votimet e 30 qershorit, por shtoi se në të gjitha deklaratat e KQZ-së përmes zëdhënëses, është theksuar që raportimet janë paraprake dhe jo zyrtare. Ai tha së njëjtë ka ndodhur edhe në zgjedhjet e vitit 2017, ku deklarimet kanë qenë të ndryshme gjatë ditës, për shkak se janë bërë publike nga informacione paraprake dhe jo të zyrtarizuar. Të 4 anëtarët e KQZ në parim e mbështetën kërkesën e Zgurit, por thanë se ky proces mund të bëhet edhe më vonë, kur të kemi një përmbyllje zyrtare të të gjithë rezultatit.

Diskutimi për nisjen e një procesi hetimor është shoqëruar me detabe, pasi Zguri në moment të fundit ka kërkuar hapjen e kutive të votimit, për të numëruar edhe një herë votat për të nxjerrë shifra të sakta të pjesëmarrjes. Kjo kërkesë u quajt nga nënkryetari Denar Biba si një mënyrë për të hedhur në erë procesin zgjedhor të 30 qershorit. Biba i tha Zgurit se ndryshove mendim në moment të fundit pasi të erdhi një sms nga Gaz Bardhi, pasi kjo nuk ishte ajo që paraqite në fillim.

Zguri: Të nisë hetimi administrativ duke kërkuar procesverbalet e mbylljes së qendrave të votimit dhe listat për çdo zonë zgjedhore, në gjithë Shqipërinë.

Biba: Gjithë Shqipëria të numërohet në KQZ?

Zguri: Jo të numërohen, të kontrollohen të gjithë procesverbalet dhe listat

Biba: Ky nuk ishte propozimi i hedhur në erë, kjo është hedhje në erë e gjithë procesit zgjedhor.

Zguri: Ti nuk hidhesh në erë, mos u bëj merak

Biba: Mua s’ka perëndi të më hedhë në erë jo më ti.

Zguri: Po kush e vë në dyshim

Biba: Po të fala Gazment Bardhit.

Zguri: Kush është dakord me propozimin tim për të hapur kutitë e votimit dhe për të marrë procesverbalet dhe listat për të verifikuar sa është numri i atyre që kanë votuar?

Anëtarët: Jo, nuk ishte kjo kërkesa, hapja e kutive është tjetër gjë.

Biba: Për të bërë hetim po, për të hedhur zgjedhjet në erë, të fala Gazit. Hetim adminsitrativ në lidhje me sjelljet që ka bërë KQZ. Përmendët disa shifra që sipas jush kanë cënuar besimin e popullit. Në bindjen time, populli e di shumë mirë se çfarë ka ndodhur, edhe ata që shkuan në plazh e dinë fare mirë.

Zguri: Pse trembesh?

Biba: Më fal jemi në të njëjtën anë. Unë kam ngritur dorën bashkë me ju (për votë pro) por është tjetër gjë të hetosh pjesëmarrjen dhe tjetër të hapësh të gjitha kutitë. Këto zgjedhje nuk do mbarojnë kurrë nëse do të hapen të gjitha kutit, atë që kanë bërë 90 KZAZ dhe 5489 QV

Biba: Nuk e keni dashur kurrë këtë proces, e keni thënë që në fillim. Ti duhet ta tregosh, vazhdo shpalose deri në fund. Ti nuk doje këtë proces dhe nuk e do në as në këtë moment. Në këtë pikë çfarë do të bësh? Çdo gjë për ta sabotuar. Gjykojë në moral Klement nuk ka lidhje me nenet, nenet t’i gjen Gaz Bardhi ty. Ti në fillim këtë doje, këtë që dua edhe unë, por të erdhi një mesazh edhe ndryshove qëndrim.

Zguri: Nuk më bezdis fare, me kalimin e kohës nuk më krijon asnjë lloj gudulisje

Skënderi- Ruani etikën

Zguri: Kush e prishi etikën pse më drejtohesh mua. Unë mundohem të flas ju futeni tek fjala ime

Biba: Unë jam dakord të bëhet një hetim i brendshëm administrativ, ai që realisht nisët ju para se t’ju vinte ajo SMS-ja. Të bëhet hetim në lidhje me çdo lloj sjellje brenda KQZ, të rojës së derës që mund të ketë vënë në pikëpyetje besueshmërinë në zgjedhje, por të hapni ju gjithë kutitë, nuk ju mbështes dot.

Përfundon orari zyrtar i votimit, Klement Zguri: Nuk do të ketë shtyrje pas këtij orari

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri ka dalë një prononcim për mediat, ku ka deklaruar se nuk do të ketë një shtyrje zyrtare për procesin e votimit. Zguri e bëri deklaratën e tij, pasi në Sarandë kanë kërkuar një shtyrje prej 30 minutash të procesit të votimit. Por Klement Zguri është shprehur i prerë, se nuk ka pasur kërkesë zyrtare për këtë shtyrje, duke deklaruar se praktikisht kutitë e votimit duhet të jenë mbyllur në të gjithë vendin pas orës 19:00.

“Në një qytet të caktuar persona politikë kanë bërë thirrje për të shtyrë orarin e votimit. Është në kundërshtim me ligjin. Duhet të citoj Kodin Zgjedhor,  orari shtyhet vetëm nëse ka rradhë të gjata. Orari është i përcaktuar në Kodin Zgjedhor. Përtej kësaj gjithçka është e paligjshme. Nuk kam informacion ende për përqindjen. Marrë shkasë nga deklarata mediatike, se votimi fillon në orën 7 dhe mbyllet në orën 7. Përtej kësaj është shkelje të ligjit. Nuk ka asnjë kërkesë të tillë, nuk ka mbledhje të KQZ për një gjë të tillë”, tha Zguri.

Zguri distancohet nga KQZ: Nuk është qëndrimi im, njoh dekretin e Metës

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, pas deklaratës së zëdhënëses së KQZ, Drilona Hoxhaj, e cila u bëri thirrje kryebashkiakëve të opozitës që mos të cenojnë KZAZ-të duke i cilësuar kërkesat e tyre të paligjshme dhe në shkelje të Kodit zgjedhor.

Zhuri, është distancuar nga kjo deklaratë duke thënë se ky nuk është qëndrimi i tij zyrta, por i 4 anëtarëve të KQZ,  ndërsa qëndrimin e tij e ka shprehur më herët kur ka deklaruar se njeh vendimin e presidentit Meta, për anulimin e datës së 30 qershorit.

Deklarata e zëdhënëses së KQZ-së nuk është qëndrim i kryetarit të institucionit, por i përket katër anëtarëve të mazhorancës në KQZ. Unë si kryetari i institucionit e kam bërë të qartë qëndrimin tim në mbledhjen e zhvilluar pas dekretit të Presidentit Meta. Njoh dekretin e Presidentit Meta për anulimin e  zgjedhjeve më 30 qershor”, ka thënë Zguri në një deklaratë për mediat.

Jo vetëm partitë, por edhe kandidatët nën sitë për financimin e fushatës

Jo vetëm partitë politike, por edhe kandidatët për kryetarë bashkish do të deklarojnë burimin e financimit të fushatës zgjedhore. Kështu tha sot kryetari i Komisionit Qëndror Zgjedhor, Klement Zguri, i cili mori pjesë në konferencën për raportimin financiar të partive dhe kandidatëve zgjedhorë.

Zguri tha se transparenca e financimit të partive është kusht për zhvillimin e një gare të ndershme dhe të barabartë.

 “Mungesa e transparencës së financimit të partive është ftesë për disbalancimin e fushatës, për orientimin e aktorëve drejt taktikave elektorale të paligjshme, drejt shitblerjes së votës, drejt prishjes së administrimit zgjedhor, drejt manipulimit të rezultateve.

Mungesa e transparencës për financat dhe shpenzimet e partive politike nënkupton korrupsion në financim. Dhe korrupsioni në financimin e partive politike është një nga çështjet më kritike në demokracitë e sotme.

Në këtë proces zgjedhor, nuk do raportojnë vetëm partitë politike për financat e fushatës, por edhe kandidatët për kryetarë bashkie. Kjo do të thotë më shumë transparencë, më pak informalitet, më shumë barazi dhe më shumë ndershmëri në konkurrim”, tha kreu i KQZ-së.

Financimi i fushatave zgjedhore ka qenë gjithmonë problem në Shqipëri dhe ka nxitur akuza politike për shkak se gjithmonë ka pasur dyshimet se fushatat zgjedhore financohen nga persona të lidhur me krimin.

Skip to toolbar