Kandidati për Prokurorinë Speciale anti-Korrupsion, Klodian Braho ka kaluar shkallën e parë të Vettingut, pasi është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Braho është një nga kandidatët e përzgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për t`u zgjedhur anëtarët e SPAK. Në listën e KKLP, Klodian Braho është renditur i gjashti me pikë në listën e KLP.
Lidhur me vendimin për konfirmimin në detyrë si prokuror, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka gjetur probleme me pasurinë e prokurorit. Gjithashtu Klodian Braho është vlerësuar i përshtatshëm edhe në aspektin e profesionalizmit dhe të integritetit.
Megjithatë, që prokurori Braho të bëhet pjesë e strukturave të reja të drejtësisë, do të duhet të kalojë edhe vendimin e Komisionerit Publik, nëse do të apelojë vendimin e KPK-së apo do ta lërë në fuqi.
Klodian Braho ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2005-2008 dhe më pas është emëruar prokuror në Berat. Në vitin 2012, Braho u transferua në Prokurorinë e Vlorës ku mbajti edhe postin e zv.drejtuesit, ndërsa në vitin 2015 u dekretua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Paralelisht me punën si prokuror, Braho është angazhuar edhe në mësimdhënie apo si ekspert në Shkollën e Magjistraturës.