PD, letër Kolegjit : Prisni Kushtetuesen për mandatet e Këshillave

Partia Demokratike i ka drejtuar të hënën një letër Kolegjit Zgjedhor të cilit i kërkon të mos vendosë për mandatet e Këshillave Bashkiakë por të presë ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Letra i është dërguar Kolegjit nga sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi para nisjes së shqyrtimit në kolegj të çështjeve për shpërndarjen e mandateve të këshilltarëve bashkiakë.

Demokratët kanë informuar në lidhje me këtë kërkesë edhe zyrën e ODIHR, ONM, BE dhe ambasadat kryesore në Tiranë.

Sipas Bardhit Kolegji Zgjedhor duhet të presë që Gjykata Kushtetuese të japë një vendim në lidhje me kërkesën e depozituar nga shoqata e Bashkive mbi kushtetutshmërinë e votimeve të 30 Qershorit.

“Pa u shqyrtuar çështja në Gjykatën Kushtetuese, Kolegji Zgjedhor ka pengesë ligjore për të bërë shpërndarjen e mandateve të Këshillave monopartiake Bashkiake.  Sipas Kodit të Procedurës Civile, Kolegji Zgjedhor ka detyrimin ligjor të vendosë pezullimin e gjykimit, për shkak se “çështja nuk mund të zgjidhet para se të zgjidhet një çështje tjetër. Ligji detyron Kolegjin të mos marrë vendim pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese mbi kushtetutshmërinë e Dekreteve të Presidentit”, shkruhet në letrën e PD-së.

PD akuzon Kolegjin Zgjedhor për vendimet e deritanishme të cilat sipas saj janë të pambështetura në ligj dhe të motivuara politikisht, sipas interesit të Qeverisë.

“Regjistrimi i paligjshëm i Bindjes dhe mohimi i opozitës për komisionerët, u konstatuan të paligjshme nga ODIHR.  Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të shqyrtojë mënyrën e ushtrimit të kompetencave nga Presidenti, përfshirë dekretin e zgjedhjeve. Sa kohë janë në fuqi dekretet për zgjedhje në 13 Tetor mandatet e këshilltarëve bashkiakë nuk mund të shpërndahen. Janë fituar në votime të padekretuara nga Presidenti”, shkruhet në letrën e PD-së drejtuar Kolegjit Zgjedhor.

Kjo duket si lëvizja e fundit e PD-së për të bllokuar njohjen e zgjedhjeve të 30 qershorit. Pasi ndërmori disa nisma institucionale, siç ishin paditë nëpër gjykata të ndryshme të rretheve dhe vendimeve për mos dhënie mandatesh të zgjedhurve të rinj vendorë, letra drejtuar Kolegjit Zgjedhor vjen në të njejtën linjë. Pak ditë më herët Voltana Ademi depozitoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për kushtetutshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit. Tani PD kërkon të presë vendimin e Kushtetueses për njohjen e mandateve të këshillave të rinj bashkiakë, por harron se Kolegji Zgjedhor në bazë të Kodit Zgjedhor është institucioni që certifikon zgjedhjet dhe mandatet e të zgjedhurve të rinj vendorë./realstory.al

Skip to toolbar