Ish-ministri i Berishës avokati i anëtarit të KLP për Vettingun. Shtyhet seanca për Besnik Canin

Është shtyrë seanca dëgjimore në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për ish-prokurorin Besnik Cani, që aktualisht mban detyrën e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Cani kërkoi të mërkurën shtyrjen e seancës dëgjimore në Apelin e Vettingut, pasi dha dy arsye; mungesa e avokatit mbrojtës (ish-ministri dhe deputeti i PD Eduard Halimi) si dhe një arsye familjare, pasi i kishte vdekur xhaxhai një ditë më parë. Ndaj këtë të mërkurë i duhej të ishte i pranishëm në varrimin e tij. “Kam komunikuar me z.Halimi. Ai ndodhej jashtë vendi për festat dhe kthehet në vend pas datës 9 janar. Ndërkohë dje xhaxhai im ka ndërruar jetë dhe kërkoj mirëkuptimin tuaj, që të jem prezent në ceremoninë e fundit të tij”, u shpreh Cani përpara trupës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Besnik Cani u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në nëntor të vitit 2018. Megjithatë, vendimi i KPK-së u apelua nga Komisioneri Publik me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Sipas relacionit të publikuar nga Komisioneri Publik, Besnik Cani është me probleme në të tre kriteret e rivlerësimit; atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. “Nisur nga hetimi dhe vlerësimi i kryer nga Komisioni, sa i takon kritereve të rivlerësimit, bazuar në kërkesat e dispozitave të aneksit të Kushtetutës dhe ligjit të posaçëm nr. 84/2016, Komisioneri Publik konstaton se përfundimet e arritura nga Komisioni janë të gabuara dhe jo në pajtueshmëri me provat e administruara”, thuhet ndër të tjera në raportin e Komisionerit Publik.

Po më konkretisht, çfarë dyshimesh janë ngritur për prokurorin Besnik Cani?

Së pari lidhen me pasurinë. Komisioneri Publik, me rekomandim të ONM-së ngre dyshime lidhur me pasurinë e prokurorit Cani, që tashmë është anëtar i KLP. “Për kriterin e pasurisë, nuk ka dhënë prova konkrete dhe shpjegime bindëse lidhur me shpenzimet e kryera për ndërtimin e banesës, ka kryer deklarime të pasakta dhe të pamjaftueshme ndër vite, si dhe rezulton me mungesë të burimeve të ligjshme financiare”, thotë Komisioneri Publik.  “Për kriterin e aftësive profesionale kanë rezultuar fakte (marrëdhënia juridiko-civilesubjekt – shoqëria “***” sh.p.k.), mangësi të përsëritura dhe modele të papërshtatshme pune, të cilat janë në papajtueshmëri dhe cenojnë figurën dhe etikën e prokurorit të Republikës”, thuhet gjithashtu në deklartën e Komisionerit Publik.

Një nga pikat ku Komisioneri Publik vren probleme është ajo e aplikimit për kredi të butë në Bashkinë Fier nga prokurori Cani. Sipas Komisionerit, duke cituar konstatimin e vetë Komisionit: “Duke aplikuar dhe duke kryer të gjitha veprimet e parashikuara nga normativa ligjore për përfitimin e një kredie të butë, Komisioni ka konsideruar se subjekti ka përdorur funksionin e tij, si drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, për të përfituar trajtime financiare, që nuk mund t’i përfitonte bazuar në kërkesat e ligjit, për vetë subjektin dhe personat që lidhen me të dhe, rrjedhimisht, këto veprime mund të kenë cenuar figurën e magjistratit/prokurorit dhe humbjen e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë”, thuhet në relacion.

Por jo vetëm kaq, veç shumë problemeve që Komisioneri vren në deklaratat e pasurisë të prokurorit Cani, ka vrejtur probleme edhe në aspektin profesional, probleme të cilët janë evidentuar në fakt nga KPK. Vetë Komisioni ka vrejtur, pas denocimeve të publikut, problematika në hetimin e disa dosjeve. Ja çfarë shkruhet në një rast konkret: “Denoncimet nga publiku. Shtetasi ***.***. Çështja penale nr.***, e vitit 2007, e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë: – Komisioni ka konstatuar se subjekti në hetimin e kësaj çështjeje ka pasur mangësi profesionale lidhur me thellimin e hetimeve, mungesë arsyetimi dhe marrje vendimi pushimi “sipërfaqësor” dhe, më vonë, pas kryerjes së hetimeve të mëtejshme nga po ai prokuror – por në saje të urdhrit të drejtuesit të tij – vetë subjekti arrin në konkluzion të kundërt, duke kërkuar gjykim për të njëjtat fakte që kishte pushuar çështjen”, thuhet në relacionin e Komisionerit Publik. Por ndonëse kishte vrejtur këto raste, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë prokurorin Besnik Cani.

Për këto arsye dhe të tjera të shpjeguara në Relacionin e Komisionierit Publik (relacionin e plotë e lexoni në fund të shkrimit), ky institucion “kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në zbatim të nenit 66, pika 1, germa “b”, të ligjit nr. 84/2016, në përfundim të shqyrtimit të çështjes në seancë publike, të vendosë: – Ndryshimin e vendimit nr. 84, datë 27.11.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, zotit Besnik Cani”, përfundon arsyetimi i Komisionerit Publik. /Realstory.al/

Skip to toolbar