“Amnistia” liron ndërtuesit pa leje, lë brenda hajdutët

U miratua në Komisionin e Sigurisë Kombëtare vendimi i Qeverisë për “amnistinë”. Por, në variantin përfundimtar janë përfshirë dhe disa amendime. Ndryshimi i parë lidhet me penalizimin e personave që kanë vjedhur. Ermonela Felaj, kryetare e Komisionit, kërkoi që personat që kanë vjedhur të mos përfshihen në amnisti, pasi sipas saj fenomeni është në rritje. “Vjedhja është një vepër e përhapur, janë 4 mijë e ca raste, gati gjysmës nuk i dihet autori. Prandaj të dënuarit për vjedhje të mos përfitojnë nga amnistia”, u shpreh Felaj. Gjithashtu, Kryetarja e Komisionit të Sigurisë kërkoi që në “aminsti” të përfshihet falja e dënimit për personat që janë dënuar për ndërtime pa leje, ndryshim i cili u pranua dhe miratua. Megjithatë, nga radhët e mazhorancës jo të gjithë ishin dakord për amnistinë.

Deputeti Spartak Braho doli kundër mënyrës se si ishte hartuar amnistia. Ai tha se ajo ishte “jo humane”, duke kërkuar lirimin e të  gjitha grave që ndodheshin në burg. “Drafti është i njëjtë me atë të 2016. Pse nuk amnistoni shpifjen, fyerjen? Mendja më thotë se jeni selektivë, mund ta kem edhe gabim. Kjo amnisti nuk ka humanizëm, të tëra gratë duhet të dalin nga burgu. Gruaja edhe kur vret, vret nga halli, edhe kur bën vetëgjyqësi e bën nga halli. Gruaja lë familjen, lë fëmijët. Duhet të jemi më humanistë me gratë dhe moshat e reja. Mbani në burg, një, pse e mbani atë (të rinjtë). Ai shtet që bën amnisti është shtet i fortë, nuk është i dobët. Nuk trembet shteti serioz nga ata që dalin nga qelitë”, tha Braho.

Megjithatë, Kryetarja e Komisionit të Sigurisë tha se “nëse ka shkelur ligjin, çdo njeri duhet të dënohet. Nuk është rasti që dikush të dalë sikur është mbrojtës më i mirë i grave apo të miturve”, tha Felaj duke dalë kundër idesë se Brahos. Ndërkohë, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha se nga amnistia janë përjashtuar të dënuarit me rrezik të lartë. “Sakrifikova mbledhjen e qeverisë sot për të vijuar mbledhjen për amnistinë. Lirimin e disa subjekteve kriminale me rrezikshmëri të lartë. Edhe unë i kam marrë masat dhe kam reaguar duke kërkuar nga institucionet e drejtësisë reagimin e përshtatshëm dhe për këtë arsye kemi qenë të kufizuar për kriteret dhe kategoritë e atyre që përfitojnë”, tha Gjonaj.

Kategoritë që përfitojnë nga amnistia:

1. Amnistohen personat e dënuar meshkuj me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna,deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.

2. Amnistohen personat e dënuar femra dhe të mitur me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.

3. Amnistohen personat e dënuar meshkuj me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.

4. Amnistohen personat femra dhe të mitur të dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet.

5. Amnistohen personat e dënuar femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç. 

6. Amnistohen personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.

7. Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.

8. Të gjithë të dënuarve femra dhe të mitur që nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas paragrafëve 2, 4, 5 dhe 7 të këtij neni, u zbritet 1/3 e dënimit të mbetur, pavarësisht kritereve ndaluese të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji. Nuk përfitojnë sipas këtij paragrafi, personat e dënuar përsëritës të së njëjtës vepër penale.

Sherr mes deputetëve në Komision. Murrizi: Të numërojmë dëshmorët

Numëri i dëshmorëve të rënë gjatë Luftës Anti-Fashiste në vitet 1939-1944, shkaktoi sherr mes deputetëve në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Deputeti Myslim Murrizi kërkoi ngritjen e një komisioni, që do të numërojë varret e dëshmorëve në të gjithë Shqipërinë. Sipas deputetit të opozitës, numri i dëshmorëve të rënë në luftë, por dhe i veteranëve të saj, nuk është real.

Më poshtë pjesë nga debati në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.

-Petro Koçi: Janë 56 mijë e 300 e ca dhe kur i rrumbullakosim shifrat themi rreth

56 mijë e 500 individë, të cilëve u është njohur Statusi i veteranit. Tashmë janë rreth 7 mijë persona që janë ende gjallë, që e gëzojnë statusin.

-Myslim Murrizi: Pra, 56 mijë e 300 kanë pasur statusin e veteranit në vitin 1994. 28 mijë thoni që kanë qenë dëshmorë bëjnë 84 mijë. Ndërkohë që në histori kemi mësuar që ushtria nacionalçlirimtare e partizanëve ka pasur 70-75 mijë vetë. Na dalin 9 mijë tepër, nga i keni gjetur?! Çfarë është gënjeshtër këtu: numri i dëshmorëve, numri i partizanëve apo numri i veteranëve? 9 mijë nuk janë pak, nuk na rakordojnë shifrat, del si ajo 7 herë 7. Të kesh qenë partizan, minimalja duhet të kesh datëlindjen në vitin 1928 që të të kapte mosha 16 vjeç në vitin 1944. Sot i bie të jesh 91 vjeç, ta kesh zhvilluar luftën 12 vjeç, të kesh qenë debatikas nga Coli e këtej. Po të kesh qenë më i madh i bie të jesh edhe më i moshuar. Unë si deputet i kam bërë një kërkesë, edhe Sigurimeve Shoqërore, edhe

Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të parë listën e votuesve se sa kemi gjallë në moshën 91, 92 deri te 100 vjeç, i fundit më duket ndërroi jetë para disa ditëve. Përsëri jam shumë skeptik për numrin.

-Petro Koçi: Unë i prisja pyetjet me karakter politik, por jo kërkesën për të parë një dokument. Ky është një fakt që dihet historikisht, më 20 korrik 1957 është krijuar për herë të parë një organizatë… Për sa i përket moskorrespondimit të shifrave, është një pyetje shumë interesante. E para, nuk merr statusin e veteranit patjetër ai që ka qenë me armë në dorë duke luftuar në rreshtat e formacioneve të ushtrisë nacionalçlirimtare, por janë të gjithë ata që në role, rrethana të tjera janë shpallur veteranë të luftës për shkak të kontributit konkret që kanë dhënë gjatë asaj lufte. Në këtë rast dua t’ju shpjegoj që edhe dëshmor i atdheut që i përket kësaj periudhe nuk duhet patjetër të ketë qenë një partizan me armë në dorë, por mund të ketë pasur funksione të tjera: korrier, bazë e luftës e të tjera që në aksionet hakmarrëse, në vendimet e pushtuesve apo të bashkëpunëtorëve të tyre kanë përfunduar me vdekje. Nuk ka lidhje se duhet të korrespondojë patjetër shifra 56 mijë, plus 28 mijë që të dalë numri i atyre që kanë qenë pjesë e formacioneve partizane, i cili është 73 mijë. Është një logjikë, e cila vlen për të ndërtuar një pyetje, por jo për të nxjerrë një konkluzion të pandryshueshëm. Për sa i përket moshës duhet pasur parasysh se veteranë quhen të gjithë ata që deri në maj të vitit 1945 në pozicione të ndryshme dhe  jo patjetër partizanë kanë luftuar ose kanë qenë pjesë e veprimtarisë antifashiste nacionalçlirimtare. Ju e dini se një pjesë e formacioneve partizane kanë kaluar edhe kufijtë shtetërorë të Shqipërisë për të çliruar pjesë të territoreve të tjera që ishin pjesë e rajonit të Ballkanit. Unë besoj se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare duhet të kthehet në një vlerë që na bashkon të gjithë.

Spartak Braho: Pa dyshim që ky korrigjim, ndonëse i vonuar për caktimin e datës së Organizatës së Veteranëve është një masë e rëndësishme apo një propozim në kohë i qeverisë në kuadër edhe të festimit të 75 -vjetorit të çlirimit të vendit, e plotëson këtë boshllëk. Pra, kemi të bëjmë thjesht me rivendosje apo me piketim të një date, e cila duhet të përkujtohet, jo vetëm nga veteranët, por nga i gjithë populli shqiptar. Sot është dita që ta miratojmë. Madje sot është dita që të mbajmë edhe një minutë heshtje për veteranin 100 vjeçar Rahman Parllaku, por kjo le t’i mbetet seancës plenare, sepse figura e tij është një figurë e ndritur e Luftës Nacionalçlirimtare. Unë mendoj që ta miratojmë këtë ndryshim.

-Myslim Murrizi: Pas njëzet e nëntë vjetësh postkomunizëm nuk kemi pse të tallemi më me shqiptarët. Nuk ka arsye që fëmija im të mësojë nëse kemi pasur shtatëdhjetë mijë partizanë, shtatëdhjetë e tre mijë, shtatëdhjetë e pesë apo tetëdhjetë e katër, sa dalin me shifra. Nuk kam pse shoh me shall të kuq në qafë veteranë lufte që kanë lindur mbas prishjes së kooperativave. Është turp. Ata që kanë qenë në luftë, aq sa të jenë gjallë, por që kanë qenë realisht në luftë, jo ata që u paskan çuar çorape partizanëve, që kanë ngrënë e kanë pirë a ku di unë çfarë kanë bërë, paskan raportuar për të vrarë nga Mustafa Gjinishi e deri në fund, marrkan statusin e veteranit të luftës. Ngrini një komision. Jua thashë: do t’ju sponsorizoj edhe unë, me sa të kem takat, jua lë rrogën gjashtë muaj. Shkoni e numërojini varrezat e dëshmorëve se sa janë! Na thoni ekzakt sa janë, sepse po të jenë vrarë 28 mijë, me 124 gjermanë e 315 italianë, i bie që një nga ata armiq, për të cilët kemi thënë se kanë ikur, të ketë vrarë 70 trima nga këta tanët. Kjo është denigruese. Në qoftë se nga kjo ushtri prej shtatëdhjetë mijë vetash, që thoni ju, janë vrarë njëzet e tetë mijë, pra 40 %, atëherë paska qenë turmë, popull, një popull që ka ikur në ekzil. Prandaj, na e thoni ekzakt, mos ecni me frymën se kështu e ka thënë që nga viti 1945 partia jonë, ajo që kemi qejf ne, dhe kështu do të themi edhe ne. S’ka asgjë të keqe të reduktohet numri, por ama të jetë real numri i veteranëve, numri i dëshmorëve, numri i këtyre që morën shpërblim financiar. S’ka asgjë të keqe.

-Ermonela Felaj: Nuk ka nevojë të përdoret ky ton.

-Myslim Murrizi: Po çfarë toni kërkoni? T’i them Spartakut që gënjen? Nuk i them…

-Ermonela Felaj: Nuk jeni vetëm ju dhe z. Braho në këtë mbledhje. Janë më shumë se kaq njerëz.

-Myslim Murrizi: I thuaj pra, që të mos më ndërhyjë. Se kur ndërhyn ai, unë e trash tonin.

-Ermonela Felaj: Po nuk mundet, sepse është një ngjarje që e kujtojnë të gjithë popujt.

-Myslym Murrizi: Mos ma ndërprit fjalën fare! As më intereson farë se çfarë mendon ti për ngjarjen.

-Ermonela Felaj: Nuk kam ndërmend fare të të tregoj historinë, se nuk kam mbaruar për histori. Por edhe sikur, prapë nuk do ta bëja.

-Myslim Murrizi: Nuk po ta heq njeri enverizmin ë ke në shpirt. Mbaje, ta gëzosh! Vetëm me shifrat mos u tallni! Kaq! Pse po ta heq enverizmin unë ty? Mbaje! Shko më 5 maj atje! Shko te varri i Enverit! Bëj çfarë të kesh qejf! Sepse, në fund të fundit, unë të paktën, për këtë kam luftuar në atë Dhjetor të nëntëdhjetës: që secili të jetë i lirë. Por jo që atë që beson t’i të ma imponosh edhe mua si mashtrim.

Murrizi- “Ngrini një komision. Shkoni e numërojini varrezat e dëshmorëve se sa janë! Na thoni ekzakt sa janë, sepse po të jenë vrarë 28 mijë, me 124 gjermanë e 315 italianë, i bie që një nga ata armiq, për të cilët kemi thënë se kanë ikur, të ketë vrarë 70 trima nga këta tanët”.

Petro Koçi- “Dëshmor i atdheut që i përket kësaj periudhe nuk duhet patjetër të ketë qenë një partizan me armë në dorë, por mund të ketë pasur funksione të tjera: korrier, bazë e luftës e të tjera që në aksionet hakmarrëse, në vendimet e pushtuesve apo të bashkëpunëtorëve të tyre kanë përfunduar me vdekje”.

Skip to toolbar