Deklarata e Cutillos në “Real Story”, Kulluri-Bashës: Mblidh mendjen, s`ka komplot kundër teje

“Pra i dashur Kryetar, nuk ka komplot ndërkombëtar kundër teje! Aq më tepër nga një ambasador i një qeverie konservatore! Mblidhe mendjen mirë që nuk ke asnjë mbështetje ndërkombëtare në rrugën aventureske që vazhdon me kokëfortësi!”, ky është reagimi ish-anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD, Edvin Kulluri, pas deklaratave të Ambasdorit italian në Shqipëri, Alberto Cutillo, që deklaroi në “Real Story”, se “synimi im është që të çojmë përpara marrëdhëniet mes dy vendeve. Nuk mbëstesim asnjë palë politike në Shqipëri”.

Gjatë emisionit të fundit  për këtë sezon në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, ambasadori italian, hodhi poshtë akuzat e bëra shpesh nga opozita apo dhe Presidenti i Republikës, se ambasadorët mbështesin qeverinë. Deklarata e Cutillos, ka nxitur dhe reagimin e ish-anëtarit të PD-së, Edvin Kulluri, i cili shprehet se Lulzim Basha ëshë pa mbështetje ndërkombëtare në rrugën aventureske që vazhdon me kokëfortësi.

Edvin Kulluri, së bashku me Arben Ristanin, Jozefina Topallin, Arben Imamin dhe të tjerë ish-anëtar dhe drejtues të PD-së, kanë dalë kundër Lulzim Bashës dhe aksionit të tij opozitar radikal. Madje, këta kanë bërë thirrje dhe për ristrukturim të Partisë Demokratike duke filluar me zgjedhjet për kryetar të PD-së.

Ndërkohë, reagimi i Kullurit vjen pas atij të Arben Ristanit, i cili gjithashtu gjatë të hënës, në një postim në rrjetet sociale la të kuptohet se pas dështimit të aksionit opozitar në të gjitha format dhe rrugët e ndjekura, për të larguar Ramën, tashmë duhet të ketë një rrugë tjetër, ndoshta largimi i Bashës. Pas këtyre reagimeve, të dy ish-drejtuesve të lartë të PD, Kulluri dhe Ristani, janë parë së bashku të martën në një takim miqësor në një nga kafet e kryeqytetit.

Skip to toolbar