Shqipëria, tashmë me akses mbi llogaritë offshore

Shqipëria nënshkroi Konventën Multilaterale për Zbatimin e Masave të Traktatit Tatimor për të Parandaluar Erozionin  Bazë dhe Zhvendosjen e Fitimit (Konventa), duke u bërë vendi i  88  që u bashkua me Konventën, e cila tani mbulon pothuajse 1,530 traktate dypalëshe tatimore.

Sipas standardit të ri global, një gamë e gjerë e informacionit do të shkëmbehet mbi llogaritë offshore, duke përfshirë bilancet e llogarive dhe të pronësisë. Kjo do të bëjë të mundur parandalimin e evazionit fiskal dhe trajtimin e mashtrimit fiskal. Kjo pasi, veprimtaria e evazorëve jo vetëm zvogëlon të ardhurat publike, por dhe dobëson besimin në drejtësinë e sistemit tatimor, si dhe rrit barrën mbi tatimpaguesit e ndershëm.

Po ashtu, kjo Konventë amendon apo modifikon marrëveshjet për shmangien e tatimit të dyfishtë të nënshkruara midis palëve. Konventa do të aplikohet në të gjitha marrëveshjet tatimore të nënshkruara duke modifikuar aplikimin e tyre me qëllim aplikimin e masave BEPS (Base Erosion Profti Shifting). Pra nënshkrimi i kësaj konvente ul burokracinë dhe redukton kohën që nevojitet për rishikimin dhe amendimin e secilës marrëveshje bilaterale të tatimit të dyfishtë të nënshkruar nga Shqipëria me qëllim zbatimin e masave BEPS.

Elton Haxhi, Zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë , nënshkroi  për palën shqiptare Konventën në prani të Angel Gurrës, Sekretarit të Përgjithshëm të OECD-së, Bruno Le Maire, Ministër i Ekonomisë dhe Financave të Francës, dhe Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë,  në hapjen e 7  të takimit të Kornizës Gjithëpërfshirëse OECD / G20 mbi BEPS, që u mbajt në Paris.

Konventa është traktati i parë shumëpalësh i këtij lloji, duke lejuar vendet  të integrojnë rezultatet nga Projekti BEPS OECD / G20 në rrjetet e tyre ekzistuese të traktateve dypalëshe tatimore.

Kjo paketë i pajis shtetet pjesëmarrëse me instrumente vendase dhe ndërkombëtarë për të adresuar shmangien e taksave, në mënyrë që fitimet të tatohen aty ku kryhen aktivitetet ekonomike që i gjenerojnë ato dhe aty ku krijohet vlera. Aktualisht janë 129 juridiksione anëtare të Kuadrit Gjithëpërfshirës të Projektit Ndërkombëtar BEPS.

Skip to toolbar