7 anëtarë të një fondacioni në Tiranë që mashtronte njerëzit me kredi false janë arrestuar nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Kredia”.
Policia njofton se përmes mashtrimit me kredi fiktive këta persona kanë përfituar jo pak, por 3.7 milion euro.
Arrestimi është bërë pas akuzës së bërë nga drejtuesit e fondacionit të cilët kishin akuzuar se një pjesë e stafit të këtij fondacioni kishin dhënë kredi fiktive, me qëllim përfitimin, si dhe kishin marrë me interes shuma të mëdha valute nga persona të ndryshëm. Menjëherë pas kësaj akuze janë vënë në punë specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik në drejtorinë vendore të Policisë së Tiranës, të cilët kanë arrestuar 7 anëtarë të këtij fondacioni, emri i të cilit nuk bëhet i ditur.
Në pranga kanë rënë: A. I., 48 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë Drejtoreshë në një nga degët e filialit të Fondacionit.
B. K., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të Fondacionit.
M. D., 27 vjeçe, banuese në Vorë, Tiranë, me detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të Fondacionit.
M.H., 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrën ish-Oficer kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit.
E. V., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, Oficere kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit.
O. D., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me rolin ndërmjetësuese për gjetjen e personave për kredi fiktive.
A. A., 32 vjeç, banues në Tiranë, me rolin ndërmjetësues për gjetjen e personave për kredi fiktive, i cili aktualisht është me masë sigurie “Arrest në burg”, për një tjetër vepër penale dhe akuza do t’i komunikohet në ambientet e burgut.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e një shtetasi, pjesëtar i grupit, në rolin e sekserit dhe vijon puna për kapjen e tij.
Si funksiononte skema e mashtrimit
Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shtetasja A.I., në pozicionin e drejtoreshës së njërës nga degët e filialit të fondacionit, kishte krijuar ketë skemë mashtrimi dhe në bashkëpunim me personat e tjerë të ndalur kanë lëshuar kredi në mënyre fiktive dhe klientët që kanë përfituar kreditë nuk janë paraqitur fare në zyrat e fondacionit në momentin e aplikimit për kredi.
Ata paraqiteshin vetëm në momentin që disbursohej kredia, bënin tërheqjen e lekëve në banka dhe nga shuma e përfituar e kredisë, këta persona përfitonin 25 deri në 35% të shumës së kredisë dhe pjesa tjetër përfitohej nga Drejtoresha e degës, Oficeret e Kredisë dhe Sekserët që siguronin klientët dhe në përfundim të këtij procesi nga Drejtoresha e degës lëshohej një vërtetim fiktiv, sikur e gjithë shuma e kredituar ishte likuiduar nga klienti.
Shuma e kredive që janë dhëne nga ky staf, deri tani ka shkuar në vlerën 2 000 000 euro dhe në përditësimin e saj shkon në rritje.
Nga Drejtoresha e Degës, shtetasja A. I., janë marrë shuma të mëdha valute me interes nga persona të ndryshëm për të mbuluar këtë skemë mashtrimi, të cilat kapin vlerën deri në 1.7 milion euro.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementet e veprave penale “Skemat mashtruese dhe piramidale”, “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe përfitimet në total deri tani llogariten deri në 3.7 milion euro.
Policia njofton se vazhdojnë hetimet intensive për evidentimin e përmasave të kësaj skeme mashtrimi dhe përftimit nëpërmjet këtyre kredive fiktive.