Mëngjesin e kësaj të mërkure është prezantuar platforma “E-Learning”, që do të aplikohet në fushën e mjekësisë. Ky sistem do të zabtohet në hallkat kyçe të sistemit shëndetësor, që shërbimet ndaj qytetarëve të jenë në standardin dhe cilësinë e duhur. Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij përshëndeti ish-Kryeministrin e Italisë, Masimo D`Alema, që ka mbështetur këtë sesitem. Ndërsa gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se sistemi “E-Learning” në shëndetësi do t`i japë fund abuzimeve me kreditet false dhe manipulimet nga profesionistët e shëndetësisë.
“Ka një gjë që nuk e tha askush dhe po e them unë, se është pjesa që më ka pëlqyer më shumë nga kjo platformë, që askush nuk i ikën dot kësaj platforme, sepse nuk është një platformë tradicionale e edukimit në distancë, por është një platformë Blockchain, që do të thotë, që, me këtë platformë merr fund edhe sporti kombëtar i hileve në fushën e shëndetësisë, se në të gjitha fushat ne e kemi një sport goxha të zhvilluar për të prezantuar letra dhe certifikata sikur i kemi kryer detyrimet lidhur me edukimin në vazhdim për një arsye shumë të thjeshtë, sepse me këtë platformë askush nuk mund t’i shmanget dot edukimit në vazhdim dhe gjithkush që i shmanget nuk merr dot kreditet”.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për një sistem të papenetrueshëm, të patjetërsueshëm dhe të pamanipulueshëm, ku çdo profesionist i shëndetësisë nuk ka shans që t’ia hedhë me hile, por bëhet fjalë edhe për një sistem të një cilësie shumë të lartë të edukimit në distancë. Është një sistem që do të lehtësojë jashtëzakonisht procesin e edukimit në vazhdim të të gjithë profesionistëve të shëndetësisë. Është një sistem që do të informojë në kohë reale për gjithçka ndodh në fushën e aktivitetit të profesionistëve të shëndetësisë, sipas, sigurisht, edhe të gjithë profileve. Është një sistem që na jep mundësinë që realisht t’iu themi shqiptarëve, t’iu themi atyre që i drejtohen sistemit, se, më herët se vonë, profesionistët tanë të shëndetësisë do të jenë në një nivel tjetër për nga shkalla e njohurive dhe për nga aktualizimi i njohurive”.
“Nuk do të lejojmë më vazhdimin e aktivitetit të mjekëve që nuk kalojnë nga edukimi i detyruar në vazhdim që është i sanksionuar në ligj. Koha e krediteve të marra me vërtetime fallso apo me lloj-lloj artikujsh edhe kontributesh pa lidhje mbaron me këtë sistem. Ky sistem iu jep mundësinë të gjithëve që realisht të shkojnë në një nivel tjetër, pasi ka dhe një komoditet absolut, është i aksesueshëm nga një laptop kudo ku ndodhesh mjafton të kesh qasje në internet”, tha Rama.