Breshëri kallashi në Vlorë, vritet 22-vjeçari, plagoset një tjetër

Një atentat me breshëri kallashi ka ndodhur natën e mbrëmshme në fshatin Poro të Vlorës, ku ka mbetur i vdekur një i ri 22 vjeç dhe një tjetër 32 vjeç është plagosur rëndë.

Mësohet se nga atentati ka mbetur i vdekur 22 vjeçari, Sotiraq Mëhilli dhe është plagosur Eno Mata 32-vjeç.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 1 të natës, kur të dy personat janë qëlluar me breshëri teksa ishin duke udhëtuar me motorr.

Autorët e krimit kanë djegur automjetin vetëm disa kilometra larg vendit ku lanë të vrarë 22-vjeçarin dhe plagosën 32-vjeçarin tjetër.

Policia bën të ditur se ka gjetur të djegur një automjet tip ‘ Mercedes Benz’ në Bishan, si dhe ka sekuestruar dy kallashnikovë me të cilët autorët kanë hapur zjarr.

Makina rezulton e vjedhur gjithashtu edhe targat e këtij automjeti rezultojnë të jenë të vjedhura.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe forca të FNSH, të cilat  kanë nisur krehjen e zonës për gjetjen e autorëve. Sipas policisë personi i plagosur Eno Mataj që dyshohet të jetë edhe shenjestra e atentatit kishte pak më shumë se 6 muaj i kthyer nga Greqia ku edhe ishte i dyshuar e dënuar për grabitje.

Ndërsa 22 vjeçari që gjeti vdekjen ishte një person pa probleme dhe pa precedent sipas policisë.

Njoftimi i policisë:

Më datë 27.05.2019, rreth orës 01:10, në fshatin Poro (rrugë) në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë në drejtim të shtetasve E.M dhe S.M të cilët po udhëtonin me motorr.Si pasojë të dy shtetasit janë plagosur, ku rrugës për në spital ka ndërruar jetë 22 vjeçari S.M, ndërsa shtetasi E.M, 32 vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Forca të shumta të Policisë Vlorë dhe FNSH-së po krehin zonën, ku në fshatin Bishan është konstatuar duke u djegur një automjet tip Mercedes Benz, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autori/rët.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Vrasja e kushërinjve në Laç, dorëzohen vetë në polici autorët e krimit

Janë dorëzuar në polici dy nga autorët e dyshuar për vrasjen e dy kushërinjve  Mikel dhe Jani Jushi në Laç.

Policia bën të ditur se dorëzimi i tyre erdhi si rezultat i negociatave të policisë me familjarët e tyre. Ngjarja ndodhi vetëm pak ditë më parë në qytetin e Laçit. Të rinjtë u qëlluan me armë pas një sherri banal në një lokal.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në lagjen nr. 1 Laç, Kurbin, ku pas një konflikti për motive të dobëta u plagosën me armë zjarri dy shtetas  të cilët më pas gjetën vdekjen në një nga spitalet private në Tiranë ju informojmë se:

Si rezultat i punës hetimore të kryer nga  grupi i  posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit  Gjyqësor Kurbin u bë e mundur identifikimi  dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.

Policia në vijim dhe pa ndërprerë ushtroi kontrolle të shumta dhe përdori metodat speciale të hetimit për të bërë të mundur kapjen e autorëve.

Njëkohësisht Grupi i posaçëm hetimor negocioi me familjarët e autorëve të dyshuar që ata të dorëzoheshin organeve të drejtësisë.

Dy nga autorët e dyshuar, shtetasit M. B., 25 vjeç dhe V. B., 28 vjeç, të dy lindur e banues në Kurbin,  pas negociatave me familjarët, janë vetë dorëzuar në Polici.

Grupi i posaçëm hetimor  nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për dokumentin  e plotë të kësaj ngjarje.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare Kurbin, për veprime te mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara, në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 79/dh, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.

Skip to toolbar