Paraditen e të hënës është liruar nga burgu Lulzim Caka, një nga personazhet më të njohur të botës së krimit, që aktivitetin e tij e ka kryer midis viteve 1997-1999. Caka gjithashtu do mbahet mend për sfidat ndaj drejtësisë, pasi u arrestua dhe u la i lirë disa herë për mungesë provash. Lulzim Caka ka një rekord ngjarjesh të frikshme. Ai arriti në majat e botës së krimit të në fillim të viteve 1990, pasi kishte lidhje me një tjetër personazh të botës së errët të krimit në vend, Loshin e Karbunarës, dhe bandat e Beratit. Kundërshtarët kryesor të Lulzim Cakajt ishin banorë të fshatit Samaticë, përkatësisht nga fisi Cami, Bega, Cala dhe Yzeiri. Caka u akuzua për vrasjen e arkëtarit të Kutallisë, ndërsa më pas emri i tij nisi të frikësonte këndo që udhëtonte në rrugët e fshatrave midis Beratit dhe Fierit në vitin 2001, pasi Lulzim Caka dhe banda e tij, ngrinin postblloqe dhe sulmonin automjetet.
Ngjarja më e rëndë, e cila u bë dhe shkaku që ai të binte në prangat e policisë, ishte atentati ndaj dy ish zyrtarëve të lartë të policisë së Beratit dhe Kuçovës, të cilët fatmirësisht shpëtuan nga atentati por mbeti e djeguar makina e tyre. Megjithatë, dy oficerët Gani Malushi dhe Ilir Ngresi do të ekzekutoheshin më vonë nga banda e Cakajt. Lulzim Caka u arrestua dhe vuajti dënimin, së bashku dhe me akuzën për vrasjen e Pëllum Eminit. Ky krim, që Caka e kishte kryer më herët, i kushtoi më pas atij edhe vrasjen e të ëmës, që u pasua nga një sërë ngjarjesh të tjera kriminale, mes Lulzim Cakës dhe fiseve Cami dhe Yzeiri. Në vitin 1999, kur Lulzim Cakaj ndodhej i arrestuar në Fier, e ëma e tij, Xhevrie Caka shkon për ta takuar. Por ajo do të rrëmbehej dhe më pas do të masakrohej në pyllin e Semanit.
Caka u betua se do të hakmerrej ndaj autorëve të vrasjes të së ëmës, duke u arratisur nga burgu. Në fshatin Samaticë ai vrau dy nga autorët e masakrimit të nënës së tij, pikërisht Valter Begën dhe Mariglen Camin. Gjithashtu, pas arratisjes nga burgu ai kryeu edhe disa masakra në Berat. Më pas, u largua nga Shqipëria dhe jetoi në Itali për gati 15 muaj. Në shtetin fqinj, Cakaj do të arrestohej në vitin 2003 dhe do të sillej në Shqipëri pas një marrëveshje ekstradimi mes dy vendeve, ku prej atij viti nisi të kryente 16 vite burgim, të cilat tashmë konsiderohen të shlyera në total 25 vitet e burgut. Aktualisht në burg janë duke vuajtur dënimin disa persona të tjerë, kundërshtarë të të Lulzim Cakës.
Ata janë Fatmir Emini, të cilit Caka i ka vrarë vëllain. Ndërkohë për vrasjen e nënës së Lulzim Cakës janë ende duke vuajtur dënimin Artan dhe Bledar Yzeriri, të dënuar me nga 25 vite burgim secili, për vrasjen e nënës së tij. Lulzim Caka arriti t`i shpëtonte dënimit me burgim të përjetshëm pasi arriti të mbrohej shumë mirë, por njëkohësisht ishin disa gjykata në vend të cilat bën një lojë ping-pongu duke i dhënë mundësi Gjykatës së Lartë më pas që të rishikonte vendimin për burgimin e përjetshëm dhe hapjen e rrugës për lirimin e Cakajt.