Kryesia e PS, Rama: Fushata mbyllet në Vlorë, më 30 qershor proces me standarde

Fushata elektorale është futur në javën e fundit, teksa na ndajnë pesë ditë nga mbyllja e saj. Mëngjesin e kësaj të hëne, Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me një mbledhje të kryesisës së Partisë Socialiste. Nga sa mësohet, kryesocialisti u ka lënë porosi anëtarëve të kryesisë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, që për qeverinë mbetet i konfirmuar se do të zhvillohet më 30 qershor.

Gjithashtu në mbledhjen e kryesisë është vendosur edhe vendi i mbajtjes së mitingut përmbyllës të fushatës elektorale. Kryeministri ka zgjedhur qytetin e Vlorës për të thënë fjalën e fundit për këto zgjedhje, para se vendi të shkojë në heshtje elektorale dhe më pas në procesin e votimit.

Rama mësohet tu ketë thënë deputetëve dhe drejtuesve politikë në qarqe se procesi i votimit në 30 qershor do të jetë me standarde, ndërkohë, për garantimin e tij, kreu i qeverisë ka kërkuar që të respektohet Kodi Zgjedhor. Në mbledhjen e kryesisë është diskutuar edhe paralajmërimi i opozitës jo parlamentare, që është shprehur se nuk do të lejojë mbajtjen e procesit zgjedhor.

Edhe në këtë pikë, mësohet se Rama është shprehur se do ketë ndëshkime ligjore, nga burgu deri te përjashtimi përjetë nga puna në administratën publike, gjë të cilën, shefi i qeverisë e ka përsëritur edhe në takimet elektorale që ka mbajtur gjatë fushatës.

Skip to toolbar