Ndërkohë që opozita ka njoftuar zhvillimin e një proteste pasditen e sotme, ambasada e SHBA-së në Tiranë i bën apel shtetasve të saj në Tiranë që të mos kalojnë në vendet ku ka grumbullim njerëzish. Ambasada shkruan se protesta pritet të përqendrohet në sheshin përpara kryeministrisë, ndërsa udhëzon shtetasit amerikanë që të qëndrojnë larg këtyre vendeve dhe të ruajnë një profil të ulët.
“Pikat e mundshme të grumbullimit të protestuesve në Tiranë janë: Godina e Kryeministrisë, Godina e Parlamentit, godina të tjera qeveritare. Një demonstratë pritet të zhvillohet pranë godinës së Kryeministrisë më 13 prill, 2019, duke nisur nga ora 6 e pasdites. Grupi synon të protestojë kundër qeverisë shqiptare. Kohëzgjatja e demonstratës së pritshme është e panjohur. Forcat e sigurisë kanë përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës gjatë protestave të fundit.
Personeli i Ambasadës amerikane dhe familjarët e tyre udhëzohen që të shmangin të gjitha pikat e mundshme të grumbullimit, ku zhvillohen apo pritet të zhvillohen demonstratat. Shmangni grumbullimet e mëdha dhe çdo zonë ku zhvillohen, apo mund të zhvillohen demonstrate. Tregoni kujdes për situatën përreth. Ndiqni informacionet e fundit të mediave vendase. Ruani profil të ulët”-thuhet në reagim.