Nga Laçi ku ishte për prezantimin e kandidates së Partisë Socialiste për bashkinë e Kurbinit, Majlinda Cara, Kryeministri Edi Rama u shpreh se opozita ka frikë nga zgjedhjet. Rama tha se kjo nuk është një betejë pa kundërshtarë, por një betejë politike për të ardhmen e vendit, dhe të shkuarës që nuk pati kurajën për të dalë përballë.
“Kjo betejë që nuk është pa kundërshtarë, por një betejë politike më e qartë për të ardhmen e vendit tonë dhe të shkuar me të cilët nuk patën kurajon që të na dilnin përballë. Është një betejë mes nesh, që bëjmë sa mundemi, jo sa duam për ta çuar vendin përpara. Ata kanë frikë nga zgjedhjet prandaj bërtasin rrugëve kundër tyre, kanë frikë nga drejtësia, nga ballafaqimi demokratik dhe prandaj përbetohen se do na imponojnë një përplasje antidemokratike, vendosën të ikin nga zgjedhje, punë e tyre, por nuk vendosën asgje tjetër përveç kësaj”, tha ndër të tjera Rama.
Më tej, gjatë fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama tha se opozita ka pranuar humbjen, dhe tashmë kërkon që as Shqipëria të mos fitojë. “Opozita pengohet të hyjë në zgjedhje do të ishte antidemokratike, jo kur s’duan ata. Kanë pranuar humbjen, kanë qëllim që të mos lënë Shqipërinë të mos fitojë. Edhe në këto zgjedhje ne nuk po bëjmë fushatë për të mbështetur kandidatëve tanë. Nuk vlen shprehja, “t’i hapim rrugë budallait”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Edi Rama përsëriti dhe njëherë se kush përpiqet të prishë zgjedhjet më 30 qershor, nuk do të ketë mundësi të shkojë më në Amerikë. “Ata po përiqen të gjejnë njerëz që të shkatërrojnë atë që kemi ndërtuar. Unë nuk e di se kush janë çunat këtu në Laç, që duan të mbyllin rrugën për në Itali. Një njeriu që ka frikë nga zgjedhjet, që e di se populli nuk e zgjedh, si mund t`i shkosh mbrapa?!. Në Amerikë jo vetëm nuk shkon dot vetë, por nuk shkon as familja. Pyeteni plakun për këtë, se e di ai”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, Rama i bëri thirrje
qytetarëve të Lezhës të votojnë kandidaten Majlinda Cara duke u kujtuar atyre
një shprehje të ish-Kryeministrse së Anglisë, Margaret Thatcher, ndërsa atyre që
nuk duan ta votojnë, u tha të mos guxojnë t`i bien murit me kukë.
“Kush do të votojë për Majlindën ta bëjë, kush do guxojë t`i bjerë murit me kokë, le ta bëjë, dhe të shohim kush do të jetë më i fortë, muri apo koka. Le ta themi, shyqyr që u erdhi mundësia të votoni për një grua, se keni votuar për burra 30 vjet. Me që është mundësia për të votuar për një grua, kujtohuni çfarë thoshte Margaret Thatcher; “nëse do për muhabet gjejë një burrë, nëse do të bësh punë gjejë një grua”. Më vjen shumë mirë që për herë të parë këtu në Kurbin shoh kaq gra dhe vajza. Burrave, si burr, si pjesë e të njëjtit komunitet, i them; burrin e fortë në shqiptarët e bëjmë kur dalim nga shtëpia, por ju e dini shumë mirë kush është kryeministri kur shkoni në shtëpi”, u shpreh Kryeministri.
Më tej, gjatë fjalës së tij, ai u rikthye përsëri
te situata politike në vend. Edi Rama tha se opozita shqiptare po i bën vendit
atë që se ka bërë kurrë një parti politike ndaj vendit të vet në asnjë shtet të
Europës. Rama tha se opozita dërgon letra dhe e-maile në mediat dhe
institucionet evropiane kundër Shqipërisë.
“Këto zgjedhje kanë përveç dimensionit politik, kanë dhe dimensionin patriotik. Asnjë vend në Europë nuk e ka parë këtë që po shohin shqiptarët sot. Nuk e kanë parë asnjëherë që një opozitë që kërcënon popullin e vetë. Ka pasur dhe në rajon opozita që kanë bojkotuar zgjedhjet. Por nuk e kanë parë kurrë një opozitë që kërcënon popullin e vetë, ata kanë kaq kohë që e bëjnë Shqipërinë blozë në botë, ata çojnë çdo ditë e-maile, letra në çdo zyrë në Europë. Imagjinonin të ndodhë ajo që ata kanë në kokë, dhe të shohësh se si do të thonë për Shqipërinë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Gjithashtu, kreu i Qeverisë, u bëri thirrje
protestuesve të opozitës, që sipas tij nuk e duan më atë Kryeministër, të mos mendojnë
si huliganë, pasi sipas Ramës, opozita politike nuk ka për t`ia dalë.
“U them atyre që protestojnë, që nuk duan qeveri, që duan që unë të iki një orë e më parë, mendoni si shqiptarë, e mos mendoni si huliganë. Shqipëria nuk mund ta marri këtë detyrë. Ata nuk kanë për t`ia dalë, ata mund të marrin më qafë disa njerëz, ti çojnë pas hekurave, e pastaj përvete shkojnë e flejnë të qetë në shtëpi. Por as të qetë nuk flenë, sepse e dinë që dita e drejtësisë po afron. Demokracia nuk shkatërrohet sepse disa parti të falimentuara nga mendja nuk marrin pjesë në zgjedhje. Ky do të jetë momenti për një ndarje me cfarë mund të bësh dhe çfarë nuk mund të bësh. Aty ku bëhet shtet nuk ka karagjozllëqe. Kur ta marin mësimin tamam, të parët që do çlirohen do jenë demokratët”, tha Rama.
Në fund, ai u shpreh se në datë 1 korrik do të nxjerrin mësim të gjithë, ndërsa pas kësaj date do të dalin forca të tjera politike. “Në datat 1 korrik do të nxjerrin mësimin të gjithë se kështu nuk vazhdohet më. Nëse do treten këta do lindin forca të tjera. Ky është një vend ku gdhihet dhe ngryset duke e ngritur e ulur kryeministrin si hajdut”, u shpreh Rama, duke e mbyllur edhe me një batutat për akuzat e opozitës për korrupsion dhe vjedhje, “qysh kur jam futur në politikë kam dëgjuar të gjitha të zezat. Për sa kohë gabimet që mund të bëjë apo dhe dështimet që mund të kemi, nuk janë rezultat i qëllimit për të bërë keq, apo për të futur dorë në xhepin e njerëzve, çfarë thonë ata, mua më bëhet shëndet”, tha Kryeministri.