Euro 2020, Reja beson te kualifikimi (por me kusht)

Trajneri i ekipit kombëtar të futbollit, Edy Reja shprehet se Shqipëria duhet të fitojë dy sfidat e radhës për kualifikueset e Euro 2020, për të shpresuar te kualifikimi në fazën në grupe. Gatë një interviste për mediat italiane, “Tuttomercatoweb”, Reja tha se “do të jetë e vështirë, sepse kemi transfertën në Turqi.

“Duhet të fitojmë atë ndeshje, si dhe atë kundër Moldavisë, të cilën e kemi përsëri në transfertë. Vetëm kështu mund të kemi shpresë”, tha trajneri Reja. Në të kundërt, Shqipëria humb shansin për të përsëritur suksesin e tre viteve më parë, kur shkoi në Europianin e Francës në vitin 2016.

Më tej, trajneri i kuqezinjve komenton dhe paraqitjen e disa lojtarëve që ka “nën armë”, duke e nisur me kapitetin Elseid Hysaj, i cili shënoi golin e parë të karrierës në sfidën ndaj Islandës. Sipas Edoardo Reja, Hysaj shënoi një gol të bukur, duke dëshmuar se është shumë i aftë. “Tani për tani, Hysaj nuk vuan nga mos aktivizimi te Napoli”.

“Ai shënoi një gol të bukur kundër Islandës, ishte i shkëlqyer. E shfrytëzoj për të luajtur në mesin e fushës përpara, po dëshmon se është shumë i aftë”. Elozhet nuk mungojnë as për Berat Gjimshitin. Sipas Edy Reja, mbrojtësi i Atalantës është një nga lojtarët më të mirë.

“E kam pasur edhe vite më parë, ai është një lojtar i mirë. Por tani është pjekur, ai po bën shumë mirë, është gjithmonë një nga më të mirët. Pavarësisht vështirësive në mbrojtje, ai është gjithmonë i mjaftueshëm”, shprehet Reja. Në fund të intervistës, Reja shprehet se në Shqipëri janë të “habitur” me stilin e tij të lojës.

“Ne po bëjmë një punë të mirë, unë ndryshova shumë lojtarë, duke futur ata që dëshmuan se e meritonin. Në Shqipëri, njerëzit thonë, ‘se nuk kemi parë kurrë futboll si ky’. Shpresoj se mund të bëjmë edhe më mirë”, përfundon Edy Reja.

Skip to toolbar