Rama, Bashës: Këmbësor te hija e fikut, kush je ti që më çon mua kushte?!

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj ashpër Lulzim Bashës, pas deklaratës së kryedemokratit që i vinte “kushte” mazhorancës për dialogun për Reformën Zgjedhore. Rama foli me ironi por dhe me tone të larta, duke i drejtuar pyetje retorike kryedemokratit: “Kush je ti, kë përfaqëson?”. “T’i thotë një këmbësor që rri tek hija e fikut një makine hap krahun. Me çfarë dekreti hyjnor e ke marrë të drejtën të më çosh mua planin? Kush je ti kë përfaqëson? Ata që përfaqëson i ke lënë në rrugë bashkë me veten, ata janë të mirëpritur në çdo moment, unë ju kam të gjithëve njësoj, juve këtu dhe ata atje, madje për ata kam pak më shumë dhimbje dhe kujdes se janë në hall më të madh, ju nuk jeni në hall të madh, ju keni hallin e Evropës”, tha Rama.

Më tej, Kryeministri u kërkoi deputetëve të opozitës në Kuvend, që të bashkëpunojnë për të bërë sa më parë Reformën Zgjedhore, duke i qëndruar rekomandimeve të OSBE/ODIHR.  “Miqtë e mi, reformën zgjedhore mbi bazën e rekomandimeve të OSBE-ta ta bëjmë urgjent. Ata që janë jashtë nuk e duan. Ju që jeni brenda nuk keni përse të mos e doni. Ju thoni sistemi, ata që janë jashtë nuk e duan se një nga gjërat që do bëjmë bashkë është heqja e komisionerëve politikë. Të bëjmë reformën zgjedhore, të presim të plotësohet gjykata Kushtetuese dhe e Lartë dhe t’i  themi miqve tanë gjermanë, që janë avokatët e negociatave sot,  ne i kemi plotësuar kushtet”, tha Rama.

Në fund të fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama ka bërë batuta me deputetin e opzitës Kujtim Gjuzi, i cili tentoi të replikonte disa herë me kryeministrin gjatë kohës që Rama fliste. Shefi i qeverisë u shpreh me nota ironike, se nëse “deputetët e tjerë të opoziës kanë hallin e Evropës, Gjuzi ka hallin e monarkisë”. “Zotëria atje ka hallin e monarkisë. Hallet tuaja luksoze mbajini vet, se erdhi se nuk erdhi monarkia, ti je mbret pa mbretëri (i drejtohet Kujtim Gjuzit), po mbret je nuk të lëviz njeri nga froni. Gjuz ti nuk je i përgjegjshëm, ti je mbret, je më shumë. Naltmadhëni, ulu, se jemi akoma në republikë. O naltmadhni, dallimi mes meje dhe teje është se ti ke jetuar në luftën e parë botërore, mos më fut në terrenin e luftës se aty me mund. Ti vjen nga lufta e pare, flet me kompetencë”, tha Rama.  /Realstory.al/

Tre kushtet e Bashës për t’u futur në zgjedhje

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka parashtruar sot në mbledhjen e Kryesisë dhe Grupit Parlamentar 3 kushte që PD të regjistrohet në zgjedhjet e 30 qershorit.

“1. Partia Demokratike e Shqipërisë të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kriza e rëndë politike në vend, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave.

2. Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës së votës së lirë të mos lejojë përveç zgjedhjeve të lira asnjë farsë elektorale; të pamundësojë përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

3. Të mandatojë Kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar për plotësimin e këtyre objektivave, përfshirë, mandatin dhe detyrat e Qeverisë Tranzitore dhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.”

Këto janë propozimet e Bashës që të kalojnë edhe për votim në Këshillin Kombëtar të PD dhe më pas do të jenë zyrtare.

Skip to toolbar