Mbrojtësi Labinot Ibrahimi i ka dhënë fund aventurës me Partizanin pas gjashtë vjetësh pjesë e klubit të “demave”. Me anë të një postimi në faqen e tij në Facebook, mbrojtësi kosovar ka lajmëruar tifozët e Partizanit se duke nisur prej të mërkurës nuk do të jetë më pjesë e klubit.
“Të dashur miq, dashamir të mi dhe të skuadrës së Partizanit. Nga sot nuk do të jem më pjesë e këtij klubi. E falënderoj presidentin Gaz Demi për mbështetjen që më ka dhënë këto 6 vjet, falënderoj drejtorin Olsi Rama, falënderoj trajnerët me të cilët punova, shokët e skuadrës, gratë të cilat na bonin bukën e na lanin rrobat, punëtorët e fushës dhe çdo njeri që e rrethon këtë klub”, shkrun ndër të tjera Ibrahimi.
Më tej ai vijon me falënderimet, duke shprehur mirënjohjen për tifozët Ultras Guerrils, ndërsa e mbyll mesazhin e tij duke u shprehur se largohet me kokën lartë, pasi arriti qëllimin, fitoren e titullit kampion. “Unë po largohem nga klubi me të cilin u dashurova që në ditën e parë që erdha. Po largohem me kokën lartë, pasi ja arrita qëllimit që kishta, titullin kampion”, shkruan ndër të tjera Ibrahimi.