“Shqiptarët mashtrues”, Rama i përgjigjet te “BILD” moderatorit të “ZDF”

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur në një reagim për gazetën “BILD” moderatorit të kanalit televiziv ZDF, Markus Lanz, që gjatë një emisioni i cilësoi shqiptarët “mashtrues”. Me një gjuhë raciste dhe denigruese duke debatuar ashpër me ministrin gjerman të Transporteve, Lanz u shpreh “Tani ti je duke rënë në nivelin e lojës mashtruese të shqiptarëve”. Pas kesaj deklarate BILD ka intervistuar kryeministrin Rama. Në prononcimin e tij  për “BILD” Rama ka reaguar ashpër për këtë cilësim të Lanz. Ai tha për “BILD” se “jam shumë i habitur që mund të dëgjosh një gjuhë të tillë në një kanal televiziv aq të njohur siç është ZDF! Nuk e di nëse ky është ndonjë gabim i pafajshëm apo ndonjë keqemërtim racist për shqiptarët si popull, por padyshim që është një shprehje e turpshme”.

Më tej kryeministri Rama ka folur rreth takimit me kancelaren Merkel që pritet të zhvillojë të hënën dhe negociatat e Shqipërisë me BE. “Kancelarja Merkel është pionierja e Europës dhe një figurë frymëzuese për të gjithë ne që po luftojmë fort që një ditë t’i bashkohemi Europës duke reformuar vendet tona kandidate në Ballkanin Perëndimor dhe duke i ndryshuar ato për mirë. Kështu që takimi me të është një gëzim dhe një nder special, por këtë here është edhe shumë i rëndësishëm për mua si kryeministri i një vendi që i godit rëndë nga një tërmet shkatërrues nëntorin e kaluar”, tha Rama.

Por negociatat nuk janë arsyeja e vetme pse Rama do të udhëtojë drejt Berlindit. Më 17 shkurt do të zhvillohet konferenca e donatorëve në Bruksel, ku Shqipëria shpreson në bujarinë e donatorëve për të mbledhur fonde për rindërtimin nga tërmeti. Rama u shpreh për “BILD” se do të kërkojë ndihmën e Kancelares për për konferencën e donatorëve. “Shqipëria është në pritje të një rezultati pozitiv nga konferenca e donatorëve për rindërtimin pas tërmetit, që do të drejtohet nga Ursula von der Leyen në Bruksel, më 17 shkurt. Kancelarja Merkel është treguar shumë dashamirëse me popullin shqiptar që nga momentet e para pas tragjedisë dhe unë do të kërkoj ndihmën e tyre që ta bëj konferencën e donatorëve një dritë shprese për të paktën 15 000 persona që kanë humbur shtëpitë e tyre”, tha Kryeministri.

Skip to toolbar