Para Komisionit, Meta gjen një “avokat”

Vetëm pak minuta para nisjes së Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit, deputeti demokrat i opozitës parlamentare, Lefter Maliqi ka akuzuar maxhorancën se po bën show me kërkesën për shkarkimin e Metës. Maliqi i ka bërë “avokatin” presidentit i cili del të hënën para komisionit Hetimor, duke thënë se presidenti përmes akteve të tij shmangu përplasjen civile.

“Parlamenti po diskretiton rolin dhe misionin e tij publik për t’i shërbyer interesave të shqiptarëve.

Në vend që parlamenti të ulërasë me të madhe dhe të ngrejë komision për emigrimin masiv të shqiptarëve, vjedhjen e votës, krimin, drogën, ngre një komision për presidentin. Është show, diskretitim, manipulim mediatik.

Presidenti veproi si burrë shteti, shmangu një përplasje civile. OSBE-ODIHR i bëri nul zgjedhjet moniste të 30 qershorit”, tha Maliqi, i cili doli në një deklaratë për shtyp tek kryesia e Kuvendit, ndërkohë që Meta bëhej gati të dilte para komisionit hetimor.

Parlamenti përmes Komisionit Hetimor synon shkarkimin e Metës nga posti i presidentit për shkak se ka shkelur kushtetutën duke anuluar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Skip to toolbar