Shpërdoroi detyrën, nis hetimi për kryebashkiakun e Kavajës

Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja dhe dy vartësit e tij Dëshira Qato dhe Dritan Kazazi, janë nën hetim për “Shpërdorim detyre” nga Prokuroria e Kavajës, për dhënien e 7 lejeve ndërtimore në bregdetin e Kavajës.

Lajmin e ka dhënë “Shqiptarja.com”, e cila shkruan se është Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, që ka gjetur parregullsi në dhënien e këtyre lejeve.

Prokuroria e Kavajës i ka kërkuar bashkisë së këtij qyteti të gjithë praktikën e dhënies së këtyre lejeve, të miratuara nga kryebashkiaku dhe dy vartësit e tij, Dëshira Qato me detyrë Drejtore e Drejtorisë së Kontrollit, Zhvillimit Urbanistik dhe Pronave dhe Dritan Kazazi me detyrë Kryeinspektori i IMT-së në Bashkinë Kavajë.

Hetimi ka nisur pas një kallëzimi penal nga Drejtoresha e IKMT-së Dallëndyshe Bici, inspektorët e institucionit që ajo drejton kanë kryer verifikimet në terren.

Nga sa mësohet, në shtatë lejet e dhëna nga bashkia e Kavajës, ndërtimet kanë nisur me qëllim për tu bërë hotele, mirëpo ka dyshime se ato mund të përdoren si pallat.

Skip to toolbar