Në mbledhjen e datës 5 qershor, Këshilli i Ministrave ka miratuar fondin prej 65 milionë lekësh, i cili do iu shpërndahet partive politike që do të marrin pjesë në garën e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Vendimi i Këshillit të Ministrave është publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë, ku thuhet se “për financimin e fushatës zgjedhore për organet e vetëqeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019, në programin “Mbështetje për partitë politike” shtohet fondi prej 65 000 000 (gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekësh, i cili iu shpërndahet subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në këto zgjedhje, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”.
VKM-ja hyn në fuqi menjëherë, ndërsa paratë do të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. “Efekti financiar i parashikuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2019. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”, thuhet ndër të tjera në VKM.
Vendimi i plotë:
V E N D I M PËR
NJË SHTESË FONDI NË PROGRAMIN “MBËSHTETJE PËR PARTITË POLITIKE”, PËR FINANCIMIN E FUSHATËS ZGJEDHORE, TË SUBJEKTEVE PJESËMARRËSE NË ZGJEDHJET PËR ORGANET E VETËQEVERISJES VENDORE, TË VITIT 2019
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 87, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 13, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, si edhe të vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr.59/2019, “Për miratimin e fondit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore të vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Për financimin e fushatës zgjedhore për organet e vetëqeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019, në programin “Mbështetje për partitë politike” shtohet fondi prej 65 000 000 (gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekësh, i cili iu shpërndahet subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në këto zgjedhje, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Efekti financiar i parashikuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2019.
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.