Lëvizja “Basha ik”, a po paralajmëron Grida Duma mbështetjen e saj?

Grida Duma është shfaqur këto ditë të fundit pushimesh në një intervistë televizive, për emisionin “Treshat”, në Vizion Plus (një emision veror), ku të nxehtit të gushtit, i ka rritur ‘temperaturat’ me disa deklarata të forta politike. Grida Duma ka sulmuar klasën politike në vend, duke e akuzuar se ‘ka prishur garën dhe meritokracinë’.  “Mungon gara reale në shkolla, mungon gara në administratë, gare për një vend pune, mungon gara e ndershme mes bizneseve, mungon gara për tu rritur në një vend pune, mungon gara e mendimeve në politikë, mungon dhe gara reale me zgjedhje të lira mes partivë dhe brenda partive politike…. një mungesë meritokracie që prodhon mediokritet dhe ndalon zhvillimin e shoqërisë përvecse pamundëson rritjen e individit të spikatur, te formuar!”.

“Ne do t’i qajmë gjatë garuesit më të mirë, që kemi humbuar, ata që e kanë lënë Shqipërinë edhe duke pranuar që ta nisin garën nga një nivel më poshtë, vetëm e vetëm që të provoheshin t’ia dilnin. Shkuan atje ku nuk i njeh askush, ku nuk i pret askush, atje ku nuk njohin ndoshta as gjuhën as kulturën, por prapë shkojnë se kanë besim tek vetja se ia dalin; këta njerëz kemi humbur ne! Ata që ia dalin!”, ka thënë ndër të tjera Duma, duke konfirmuar në fakt, se mesazhi i saj shkon direkt për partitë politike, “dhe nuk jam këtu për të folur vetëm për mungesën e garës në votime, ajo është vetëm maja e ajsbergut, mungesa e garës është në çdo element të jetës, dhe madje duhet thënë që në përgjithësi nuk ka garë në vetë organizatat politike”.

Po përse e bën Grida Duma një deklaratë të tillë? Në janar të këtij viti, pa nisur aksioni opozitar, kryedemokrati Lulzim Basha bëri disa ndryshime në sekretariate. Në mënyrë të papritur, ai la pa post Grida Dumën, që mbante rolin e  drejtueses për Marrëdhëniet me Publikun në PD, dhe Ervin Salianjin, mik i Dumës, që gjithashtu mbante postin e Aksionit Qytetar. Në këto kushte, Duma dhe Salianji u shfaqën shumë të mërzitur në janar të këtij viti, teksa ish-deputetja demokrate do të deklaronte se “vlerësohem nga demokratët”. Në kushtet kur lëvizja “Basha ik”, që ka në fokus zgjedhjet në PD, e shprehur publikisht nga nismëtarët e kësaj lëvizje, deklarata e Grida Dumës në një kohë të tillë, duket sikur indirekt mbështet këtë lëvizje. Në fakt, këtë nuk mund ta themi, por fakti që Grida Duma ka folur gjatë për zhdukjen e ‘garës’ dhe ‘meritokracisë’ brenda partisë, në vigjilje të nisjes së kësaj lëvizje, lë të kuptosh edhe një mbështetje të heshtur të saj ndaj kësaj lëvizje, ashtu si shumë drejtues të lartë të PD.

Por në fakt, ky argument merr përgjigje nga vetë Grida Duma, e cila më poshtë ka deklaruar edhe ambiciet e saj në politikë. Duket se ka një ngjashërmi të pikëpamjes së saj me atë të lëvizjes “Basha ik”, që kërkojnë ‘fitoren e grupit, dhe jo të një individi’. “Kam vetëm një qëllim në politikë jo një post, jo një status, por të bëjmë të mundur të fitojë grupi, shoqëria dhe Shqipëria, duke shtruar rrugën për më të aftët dhe duke bërë rregulluar që të mos fitojë vetëm njëri! Të zhdukim kulturën e njëshit, “unë jap unë marr unë vë në heq” kjo e ka shkatërruar atë vend plotësisht. Grupi, njerëz të rinj që marrin përgjegjësi dhe bashkëpunojnë”, ka thënë Grida Duma./Realstory.al/

Skip to toolbar