“Basha ik”, kreu i PD sulmon kritikët me Salianjin: S`kanë ide

Ndonëse nuk ka folur personalisht për lëvizjen “Basha ik”, kreu i PD ka zgjedhur rrugë dytësore për të sulmuar dhe shuar zërat brenda të djathtës, që kërkojnë largimin e tij nga funksioni i kryetarit të partisë. Këtë të hënë, ka qenë ish-deputeti Ervin Salianji, i cili në një intervistë për një televizion, ka sulmuar kritikët e Lulzim Bashës. Sipas Salianjit, të cilin Basha e la pa post në PD në janar të këtij viti, ish-funksionarët e partisë janë kontaktuar, por sipas tij, ata nuk kanë ardhur të diskutojnë në forumet drejtuese të partisë. Ndaj, Salianji, i quan njerëz pa ‘ide’ dhe me ‘inate’, kritikët e Lulzim Bashës.

“Të gjithë ish-funksionarët e PD-së janë kontaktuar. Një pjesë e madhe e funskionarëve nuk kanë ardhur menjëherë që të flasin dhe besoj që janë edhe këta që janë më të zëshmit në publik, pavarësisht se kanë të njëjtin funksion si unë në Këshill, nuk i kam parë në ndonjë mbledhje. Nuk është sekret të thuash që deri më tani kanë inate, nuk kanë ide”, tha Salianji. Ndërkohë, ish-deputeti demokrat, është shprehur se protestat e PD-së nuk pengojnë hapjen e negociatave. Sipas Salianjit, opozita është gati për zgjedhje kurdo që ato të dodhin.

“Vendimi për dhënien ose jo të dakordësisë për hapjen e negociatave nuk ka të bëjë me protestat. Për 50 vite Shqipëria nuk ka pasur asnjë protestë, por nuk ka pasur asnjë negociatë. Protestat shërbejnë se tregon që ka demokraci. Janë kushtet e qarta dhe të mirëfillta të partnerëve europianë për hapjen e negociatave dhe ato janë lufta ndaj krimit të organizuar, lufta ndaj korrupsionit dhe padyshim në kushtet e sotme, zgjedhje të lira. Ne mendojmë që jemi gati për zgjedhje të parakohshme, në çdo moment që ato zhvillohen, duke mos na gjetur të papërgatitur siç mund të ketë ndodhur në momente të caktuara për të mos pasur asnjë alibi për pjesën strukturore të partisë”, është shprehur Salianji.

Megjithatë, kritikët e Lulzim Bashës, kanë shprehur hapur qëndrimet e tyre, duke hedhur idenë e një analize brenda të djathtës, dhe më pas zhvillimin e zgjedhjeve për forumet drejtuese. Kritikët ndaj Bashës nuk kanë kërkuar përjashtimin e kreut të PD-së nga partia, por krijimin e mundësisë që Basha të përballet në garë reale brenda partisë me kandidatë të tjerë, duke marrë votëbesimin ose jo të anëtarësisë.

Skip to toolbar