SHBA kërkon rezultate: Zbatoni drejtësinë penale

SHBA kërkon zbatimin e drejtësisë penale dhe rezultate konkrete ndaj trafikantëve. Lufta ndaj trafikut njerëzor shihet me prioritet të lartë nga SHBA, duke inkurajuar Shqipërinë, që të krijojnë një legjislacion sa më të mirë në parandalimin dhe dënimin e trafikantëve.

E ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones tha se SHBA do të ndihmojë në çdo mënyrë Shqipërinë për të luftuar trafikimin njerëzor për t’i dhënë fund “skllavërisë së ditëve të sotme”. Moses-Ones tha se qeveria dhe institucionet duhet të forcojnë rregullat dhe t’i zbatojnë ato në sistemin e drejtësisë penale, në mënyrë që të mbrojnë viktimat dhe të vendosin drejtësi për ta dhe për këtë kanë gjithë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara e shohin trafikimin e personave dhe luftën kundër tij si një prioritet të lartë, dhe sjellin të gjithë ndihmën e duhur për këtë luftë në nivelet më të larta të qeverisë. Ky është një krim i tmerrshëm, është skllavëria e ditëve tona. Është një krim që përfshin të gjithë globin dhe është një krim me shumë viktima: jo vetëm ata që trafikohen, por edhe familjet, miqtë dhe komunitetet që ata lënë pas. Sigurisht, është bërë përparim, por është thelbësore që lufta të vazhdojë, që beteja të vazhdojë, qeveria dhe institucionet në Shqipëri të punojnë së bashku për të forcuar rregullat dhe, më e rëndësishmja, për të vënë në praktikë të gjithë harkun e sistemit të drejtësisë penale, për të mbrojtur viktimat dhe për të arritur vërtet drejtësi për viktimat. Ne nuk kemi iluzione se kjo betejë do të mund të fitohet shpejt apo do të mund të fitohet lehtë. Por, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë krah jush, krah qeverisë shqiptare, institucioneve të shoqërisë civile, Vatrës dhe, krejt sinqerisht, në krah të të gjitha nuancave dhe formave të aleatëve antitrafikim, të cilët i bashkohen luftës kundër trafikimit të personave, si dhe luftës kundër fatkeqësisë së dhunës në familje! u shpreh Leyla Moses-Ones gjatë 20 vjetorit të ceremonisë të organizatës Vatra.

Leyla Moses-Ones merr pjesë në festën e Korpusit të Marinsave, mesazhi i saj!

E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Leyla Moses-Ones, ishte e pranishme në ceremoninë e përvjetorit të 244-rt të Korpusit të Marinsave të SHBA. Përpara një prani marinsash në Tiranë, Moses-Ones është shprehur se ajo do të jetë e para që do të bëj detyrën duke dhënë më të mirën në të njëjtin nivel nderi e guximi që marinsat shfaqin çdo ditë.

“Marinsat amerikanë përfaqësojnë më të mirën e vlerave amerikane dhe unë do të jem e para që do të bëj detyrën time duke dhënë më të mirën për të shfaqur të njëjtin nivel nderi, guximi dhe përkushtimi që ju tregoni çdo ditë”, tha Leyla Moses-Ones.  Në ceremoninë e zhvilluar në Tiranë për Korpusin e Marinsave të Shtetve të Bashkuara, u zhvillua një ballo tradicionale, për të festuar themelimin, historinë dhe traditat e Korpusit.

Trupa Detare e Shteve të Bashkuara të Amerikës, të njohur ndryshe si U.S. Marine Corps, u themeluan në 10 nëntor të vitit 1775 në Filadelfia si pjesë e trupave të këmbësorisë. Ato janë pjesë e Forcave të Armatosura të Shtetve të Bashkuara të Amerikës, përgjegjëse për operacionet detare. Korpusi i Marinsave përbëhet nga rreth 186.000 anëtarë aktiv dhe rreth 38.500 personel në rezervë.

Ndikimi rus e kinez, SHBA: Shqipëria foli qartë “Disa gjëra s’janë për shitje”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mirëpresin dhe vlerësojnë rolin e Shqipërisë në lidhje me ndikimet dhe makinacionet ruse dhe kineze në rajon. Përmes të dërguarës për punë të SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones tha se Shqipëria foli qartë për të gjithë, sidomos për Rusinë dhe Kinën kur tha se “Disa gjëra s’janë për shitje dhe shqiptarët e kanë vendin në BE”.

Moses-Ones tha se është e lumtur dhe vlerëson faktin që Shqipëria ka refuzuar të hedh sytë nga Kina dhe Rusia, dhe pavarësisht zhgënjimit për mos hapjen e negociatave, vendi vijon të ketë si projekt të vetëm të së ardhmes atë të integrimit në BE. Këto deklarata Leyla Moses-Ones i bëri gjatë konferencës ‘Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor’ që po zhvillohet në Tiranë.

Shqipëria është një vend kandidat, kjo nuk ka ndryshuar, puna që duhet të bëhet nuk ka ndryshuar. Shqipëria do të fitojë një vend në radhët e BE-së duke dyfishuar përpjekjet për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit. Shqipëria jo vetëm që po punon shumë për reformën në drejtësi, por reforma zgjedhore është bërë projekt kombëtar. Drejtuesit e Shqipërisë kanë zgjedhur të bëjnë kompromis për hir të së mirës së përbashkët. Shqipëria ka përmbushur dhe respektuar angazhimet për Samitin e Uellsit, shqiptarët kanë dhënë jetën e tyre për mbrojtjen e përbashkët.

Për Rusinë, Kinën Ballkani është mjet që të shfrytëzohet dhe të flaket tej, ata duan të minojnë modelin perëndimor. Krimelini këmbëngul që të mos eksportojë asgjë përveç kaosit, Irani ka shfrytëzuar praninë në Tiranë për të shkatërruar kundërshtarët. Shqipëria ia ka bërë të qartë Kinës, se disa gjëra nuk janë në shitje dhe ka refuzuar makinacionet ruse. SHBA mirëpresin prioritetet nga Shqipëria. Disa gjëra në Shqipëri nuk janë për shitje” deklaroi Moses-Ones.

SHBA: Raporti me Shqipërinë i pathyeshëm

E ngarkuara me Punë e Ambasadës të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Leyla Moses-Ones, ka konfirmuar marrëdhëniet e mira midis SHBA-së dhe vendit tonë. Moses-Ones u shpreh se partneriteti i SHBA me Shqipërinë është i pathyeshëm me një marrëdhënie të pamatshme.  “Çdo ditë të vitit ka forca amerikane këtu për të forcuar lidhjet tona të forta. Forcat shqiptare janë ndër më profesionalet. Forcat shqiptare kanë treguar se janë të përgatitura, të gatshme për të luftuar krah forcave të SHBA dhe NATO-s. Për më tepër Shqipëria ka respektuar zotimin e Samitit të Uellsit për arritjen në 2% të PBB”.

“SHBA e përgëzon Shqipërinë dhe mbështet përpjekjet e saj të vazhdueshme deri në vitin 2024. Fuqia e marrëdhënieve tona është e pamatshme dhe e pathyeshme. Për stafin amerikan të atasheut, puna juaj me zell sjell rritje të angazhimit. Për personelin shqiptar, ju jeni zemra e bashkëpunimit, asnjë nga këto nuk do të ishte e mundur. Pa punën tuaj të madhe asgjë nuk do të ishte e mundur” tha e ngarkuara me punë e SHBA-së.

Ndërkohë, ministrja Olta Xhaçka, ka vlerësuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke u shprehur se vendi ynë nuk do të ishte këtu ku është pa pasur mbështetjen e SHBA. Xhaçka u shpreh se Shqipëria është në borxh të madh me Amerikën.

“SHBA na është gjetur në momentet më të vështira të historisë, i kemi një borxh mirënjohje shumë të madh, që nga momentet e themelimit. Pa këtë mbështetje historia e Shqipërisë do të kishte ndjekur një trajektore tjetër. Falë mbështetjes së SHBA, Shqipëria po hyn në fazën jetike të zbatimit të reformës në drejtësi. SHBA ka pajisur forcat e armatosura shqiptare me armë moderne. Në termat e kontributeve për frymë, Shqipëria renditet e dyta pas SHBA-së. Baza ajrore në Kuçovë do të kishte qenë e pamundur pa mbështetjen e SHBA-së” tha Xhaçka ndër të tjera.

E ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones dhe ministrja Olta Xhaçka i bën këto deklarata, gjatë një aktiviteti të zhvilluar në ministrinë e mbrojtjes, ku u bë vlerësimi me Medaljen e Mirënjohjes për Zyrën e Atasheut Ushtarak të SHBA në Tiranë dhe Zyrën e Bashkëpunimit Ushtarak në Tiranë.

Basha “konfuz”, mohon qarkoren por jo përmbajtjen: S`do lejojmë zgjedhje, s`do ti njohim

Lulzim Basha ka mohuar ekzistencën e Qarkores drejtuar të zgjedhurve të pushtetit lokal në bashkitë që drejohen nga e djathta, ku u kërkohej bllokim i zgjedhjeve të 30 qershorit, shmangie të përplasjes me militantët e PS, por jo me efektivët e policisë. Kjo deklaratë e Bashës erdhi pas vizitës më shumë se 60 miuta  të së ngarkuarës me punë të SHBA-së në Tiranë, Leyla Moses-Ones, që mëngjesin e të martës shkoi në zyrën e Bashës, dhe mesaduket qëllimi i takimit ka qenë pikërisht zbulimi i të vërtetës me Qarkoren. Pavarësisht se PD të hënën në mbrëmje, ashtu si dhe Basha këtë të martë, e mohuan ekzistencën e qarkores, përmbajtjen e saj, të paktën kreu i opozitës nuk e mohoi.

“Ku e keni marrë këtë informacion. Natyrisht që është një prodhim i mercenarëve mediatikë të Edi Ramës. Mashtrim total dhe shërbim që i bëhet Edi Ramës dhe klikës së tij. S’ka zgjedhje më 30 qershor. E para nuk ka zgjedhje pa opozitën. Votime bën edhe Koreja e Veriut por nuk ka zgjedhje. S’ka rëndësi çfarë mendon kryeministri, rëndësi ka që është një standard ndërkombëtar, europian. Zgjedhje pa opozitën nuk ka dhe nuk do të lejohen. Nuk do të lejohen, nuk do të pranohen, nuk do të njihen”, tha Basha.

Në fakt, kjo nuk është surprizë. PD reagoi për Realstory.al mbrëmjen e së hënës ku mohoi ekzistencën e qarkores. Ndërkohë, po mbrëmjen e të hënës, burime të pavarura diplomatike, konfirmuan gjithashtu për Realstory.al, se Qarkorja do të analizohej dhe do të verifikohej me kujdes, nëse kishte dalë apo jo nga zyrat e PD-së. Kështu ndodhi, e para që shkoi në zyrën e Lulzim Bashës ishte e ngarkuara me punë e SHBA-së në Tiranë, Leyla Moses-Ones. Takimi mes saj dhe Bashës zgjati më shumë se një orë, ndërsa kryedemokrati, nuk pranoi të komentonte takimin me zëvendës ambasadoren e SHBA, foli për atë që mesaduket ishte thelbi i vizitës së Leyla Moses-Ones, Qarkorja.

Basha, i zbutur që prej mbrëmjes të së hënës, pasi ka mësuar qëndrimin amerikan për zgjedhjet dhe krizën, u shpreh se 30 qershori ëshë dita e fillimit të fundit të Edi Ramës, shprehje që në fakt Basha duket ia ka huazuar vetë Kryeministrit, pasi ky i fundit është thënë shpesh se “më 30 qershor është fillimi i fundit të ndarjes së Shqipërisë nga e shkuara. “30 qershori nuk është datë zgjedhjesh, Edi Rama do kërkojë ti kthejë shqiptarët në votimet njëpartiake. 30 qershori e ka një domethënie, është dita kur nis fundi i regjimit autokratik të Edi Ramës. Ky do përpiqet që tu paraqesë një proces fals shqiptarëve”, u shpreh Basha.

Zëvendës ambasadorja e SHBA vlerëson në shqip policinë e shtetit

Zëvendës ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Leyla Moses-Ones ka zgjedhur të flasë në shqip sot në seminarin e organizuar për luftën kundër terrorizmit. Zyrtarja amerikane ka thënë se institucionet shqiptare kanë bërë një punë mbresëlënëse për të luftuar terrorizmin. Ajo ka sjellë në vëmendje edhe arrestimin e djeshëm të Bledar Ibrahimi nga qyteti i Elbasanit, si një tregues që flet për një punë cilësore nga ana e policisë.

“Institucionet shqiptare kanë bërë një prunë mbresëlënëse për të luftuar terrorizmi. Asnjë vend s’është imun. Kohët e fundit, policia arrestoi një njeri të rrezikshëm. Shpresojmë që të ndihmojmë policinë mbi këtë trajektore të suksesshme”, tha Moses-Ones.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardit Veliu. Ai tha se është bërë një punë e mirë në këtë drejtim, duke nisur që nga mbyllja e profileve që kishin përmbajtje dhe thirrje terroriste.

Çfarë e bëri zyrtaren amerikane të derdhë lot në Tiranë

Leyla Moses-Ones, e ngarkuara me punë e SHBA-së në Tiranë, ishte sot e pranishme në një aktivitet të zhvilluar për luftën kundër kancerit të gjirit. Zyrtarja amerikane ka ndarë një histori të dhimbshme nga jeta e saj, teksa nuk arriti t’i përmbante lotët kur kujtoi me dhimbje se nëna e saj ishte ndarë nga jeta për shkak të kancerit të gjirit.

 “Dymbëdhjetë vite më parë, në këtë muaj humba nënën time për shkak të kancerit. Kështu që unë e di personalisht se kanceri i gjirit ndikon te të gjithë ne, pavarësisht se kush jemi ose prej nga vijmë. Partitë politike? Të parëndësishme. Lidhjet familjare? Të parëndësishme. Pasuria apo varfëria? Të parëndësishme. Kanceri i gjirit nuk njeh kufij dhe është i verbër ndaj privilegjeve. Ne e dimë se diagnoza e kancerit është tragjike dhe zemërthyese për familjet. Për pasojë, asnjë punëdhënës nuk duhet të ndëshkojë gratë që u duhet të luftojnë këtë sëmundje të tmerrshme”, tha Moses-Ones.

Për këtë qëllim zyrtarja e amerikane apeloi që drejtuesit e Shqipërisë të punojnë së bashku për t’i ardhur në ndihmë këtyre grave por edhe për të çuar përara çështje me rëndësi për vendin, siç është ndër të tjera edhe Reforma Zgjedhore.

 “Shpresoj që kjo do të jetë një fushë e përbashkët, ku ju – drejtuesit politikë të Shqipërisë – të mund të vini së bashku dhe të bashkoheni për ta çuar vendin përpara. Së bashku…për një kauzë të përbashkët. Kur t’i lini mënjanë dallimet tuaja dhe të bashkoheni në të mirë të publikut do ta drejtoni këtë vend me frymëzim. Udhëheqës shqiptarë, që punojnë së bashku, për të dhënë një shembull të shkëlqyeshëm për qytetarët tuaj. Zhvillim ekonomik, paqe dhe siguri, ndoshta edhe Reformë Zgjedhore. Të gjitha këto janë të mundshme me drejtues të mirë në krye, në një bashkim përpjekjesh”, tha më tej Moses-Ones.

Skip to toolbar