“Preu në besë të rinjtë”, Shahini i përgjigjet akuzave të PD

Ministrja e Arsimit Besa Shahini hodhi poshtë akuzat e Partisë Demokratike në lidhje me ‘ligjin për rininë” miratuar të hënën në seancën e Kuvendit. Shahini sqaroi se për këtë ligj është konsultuar me rininë por edhe organizatat jofitimprurëse që trajtojnë çështje e të rinjve. Ministrja tha se ky ligj ka për qëllim të përfshijë të rinjtë në vendimmarrje dhe financim publik të nismave rinore në mënyrë që të jenë një hap me bashkëmoshatarët e tyre në BE. Shahini tha se ky ligj nuk ka për qëllim adresimin e punësimit të të rinjve dhe as arsimimin formal, pasi këto fusha rregullohen me ligje e politika të tjera

Po lexoj gjithë çfarë reagimesh opozitare nëpër portale, të cilat janë në rastin më të mirë të keq-informuara. Të qartësojmë diçka: ligji nuk ka për qëllim adresimin e punësimit të të rinjve dhe as arsimimin formal, pasi këto fusha rregullohen me ligje e politika të tjera (ligji për nxitjen e punësimit; ligji për Arsimin e Lartë; ligji për Arsimin Parauniversitar; Pakti për Universitetin; portali i punësimit të studentëve në administratë: punetembare.al etj.).

Ky ligj siguron përfaqësim në vendimmarrje dhe financim publik të nismave rinore. Ky është një hap pozitiv për fuqizimin e të rinjve dhe afrimit të tyre një hap më afër bashkëmoshatarëve në BE. Sa për krahasim, gjysma e të rinjve në BE janë anëtarë të organizatave rinore dhe gati po aq angazhohen vullnetarisht për të mirën e komunitetit ku jetojnë apo mësojnë. Këto synojmë për të rinjtë shqiptarë gjithashtu!” shkruan Shahini në një postim në Facebook.

Më herët të martën, Partia Demokratike akuzoi qeverinë se me miratimin e këtij ligji, Rama preu në pabesi të rinjtë, pasi ky ligj nuk ka aspak si qëllim problemet e tyre si largimi nga vendi, papunësia apo tarifat e larta në rajon.

Dje në Parlamentin e turpit u miratua “Ligji për rininë”. Në mënyrë abuzive, aspak transparente, pa asnjë konsultë publike, Edi Rama kreu dje pabesinë më të madhe ndaj të rinjve duke miratuar një ligj, i cili nuk ka aspak në fokus problemet e të rinjve shqiptarë. Ligji i Edi Ramës për rininë nuk adreson asnjë shqetësim te të rinjve, nuk përmend aspak papunësinë, nuk trajton fenomenin e “ikjes se trurit” (brain drain), nuk flet për emigracionin masiv te të rinjve e nuk ofron asnjë zgjidhje për të rinjtë shqiptare. “ thuhet në reagimin e PD.

Skip to toolbar