Atletja rekordmene shqiptare, Luiza Gega, zuri vendin e tretë në Lojërat Olimpike Ushtarake Botërore, që u zhvilluan në Kinë. Gega fitoi medaljen e bronzit në garën e 3.000 metrave me pengesa. E para që uroi atleten Luiza Gega ishte Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.
“Flamurtarja e ekipit të Forcave të Armatosura shqiptare në Lojërat Olimpike Ushtarake Botërore në Wuhan të Kinës, nëntetare Luiza Gega na nderoi të gjithëve duke fituar medaljen e bronzit në 3000m me pengesa. Të tjera paraqitje dinjitoze presim edhe nga sportistët e tjerë të FA”, shkruan Xhaçka.
Ky është një tjetër sukses ndërkombëtar i sportistes shqiptare, që është duke u përgatitur për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Tokios që do të mbahen vitin e ardhshëm.
Pak ditë më parë, Luiza Gega fitoi Maratonën e Tiranës në kategorinë 10k. Pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Ushtarake që u zhvilluan në Kinë, ishte dhe atleti Bledar Mesi.