Milani pazar në Madrid, synon afrimin e talentit të Real Madrid

Milan kërkon të marrë Theo Hernandez nga Real Madrid. Pas takimit zyrtar me drejtuesit e Real Madrid të enjte, Milani bëri një hap fillestar të dielën për lojtarin e Los Blancos; në Ibiza, Paolo Maldini u pa të zhvillonte një takim me Theo Hernandez, që sezonin e fundit luajti i huazuar te Real Sociedad. Takimi mes Hernandez dhe Maldinit nuk ishte i rastësishëm, por i planifikuar, shkruajnë mediat italiane.

Siç raporton La Gazzetta dello Sport këtë të hënë, ky takim është zhvilluar për ti prezantuar lojtarit projektin e Milanit, me qëllim që Hernandez të shoh nëse është në pritshmëritë e tij. Palët do të vijojnë negociatat, por ky ka qenë një hap i rëndësishëm për një lojtar që për Milanin është brenda parametrave të kërkaura.

Theo Hernandez është vetëm 21 vjeç, nuk ka pagë të lartë (dy milionë euro në sezon) dhe një kosto të përballueshme transferimi nën 20 milionë euro. Për të arritur këtë transferim, Milani jo vetëm duhet të bind lojtarin, por njëkohësisht të arrijë një marrëveshje me Realin, sidomos sa i përket formulës së transferimit.

Në Madrid dëshirojnë të fitojnë para, ndërsa Rosonerët nuk janë të gatshëm të ofrojnë para për momentin, të paktën për fillimin e kësaj merkatoje. Ndaj, mundësia kryesore mund të jetë ajo e transferimit në formë huazimi dhe me klauzol blerjen e lojtarit nga Milani në fund të sezonit.

Harry Kane: Jam gati për finalen e Champions, por vendos Pochetino

Sulmuesi i Tottenham, Harry Kane ka konfirmuar se do të jetë gati për të luajtur në finalen e Champions League ndaj Liverpool. 25 vjeçari dëmtoi ligamentet në ndeshjen e 9 prillit kundër Manchester City në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampionëve.

“Ndihem mirë, nuk kam pasur më probleme deri tani”, ka thënë Kane për mediat. “Fillova të stërvitem me ekipin në fundin e javës së kaluar. Këtë javë do të stërvitem në palestër për të marrë ngarkesën e nevojshme”, ka vijuar sulmuesi i “Spurs”.

“Pastaj është në dorën e trajnerit, ai do ta vlerësojë dhe do të vendosë nëse jam gati të luaj apo jo, deri më tani, ndihem mirë dhe gati”, është shprehur Harry Kane. Sulmuesi ka shënuar 24 gola në të gjitha ndeshjet për Tottenham këtë sezon, pavarësisht mungesës për gjashtë javë në janar dhe shkurt, kur dëmtoi ligamentin në kyçin e këmbës.

Ndërkohë, trajneri i Tottenham Mauricio Pochetino, i pyetur rreth aktivizmit të Kane në Madrid, është shprehur se nuk mund ta thotë me bindje se ai do të jetë. “Nuk mund të them se ai është me 100%, nëse ai do të jetë në dispozicion, në stol apo jashtë, por ne jemi të lumtur për progresin e tij”, ka thënë Pochetino.  

Skip to toolbar