Mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste, zhvilluar të hënën, nuk kaloi në qetësi, pasi mos hapja e negociatave nxiti debate. Sipas gazetës “Panorama”, e cila zbardhi pjesë nga debati në kryesinë e PS, Ministri i Diasporës Pandeli Majko dhe ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, i kërkuan Kryeministrit Edi Rama, që PS të dilte me një qëndrim për negociatat.
Majko mësohet se kritikoi në mbledhjen e kryesisë deklaratat e bëra nga Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj se “Kryeministri nuk kishte premtuar hapjen e negociatave”. “Genti nuk duhet të bënte atë deklaratë, sipas të cilit, “unë (ai) dhe Kryeministri Rama nuk kemi premtuar hapjen e negociatave”, është shprehur Ministri i Diasporës.
Sipas Majkos, PS duhet të dilte me një qëndrim në lidhje me mos pasjen e një vendimi të Këshillit Europian për negociatat. “Prandaj, unë them se ne si kryesi duhet të dalim me një qëndrim për këtë vendim të Këshillit Europian dhe duhet të kemi një qëndrim në logjikën edhe të zhvillimeve në rajon”, është shprehur Majko.
Ndërkohë, sipas gazetës, Kryeministri Edi Rama mësohet të jetë shprehur në mbledhje se “qeveria që ai drejton ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkaura nga Komisioni Europian. Gjë që u nënvizua dhe nga kret më të lartë të Bashkimit Europian, që nga kancelarja Merkel, e me radhë kryeministrat e Italisë, Bullgarisë”, madje sipas Kryeministrit Rama edhe nga Departamenti amerikan i Shtetit.
Ndërkohë, ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, është shprehur në lidhje me rastin e dorëheqjes së Zoran Zaev në Maqedoni, se ajo është çështje morali. “Maqedonia ka pasur një kusht mbi të gjitha kushtet, çështjen e emrit. Jetojmë në një sistem që nuk i përgjigjet marrjes së pushtetit në tavolinë. Dorëheqja nuk nënkupton domosdoshmërisht dhënien e pushtetit në tavolinë, në qoftë se ju besoni që jeni maxhorancë, mund të rifitoni besimin e qytetarëve… Dorëheqja ka të bëjë me moralin, ne po flasim për sistemin”, u përgjigj Mimi Kodheli.
Kryesia e Partisë Socialiste diskutoi dje përcaktimin e një norme të re statutore, siç është zgjedhja në krye të PS-së së bashkisë të dy kryetarëve, një burrë dhe një grua. Ky propozim është pritur mirë nga anëtarët e kryesisë, ndërsa kreu i PS-së e ka cilësuar si një risi që nuk e kanë partitë e tjera as në rajon, duke demokratizuar partinë dhe duke e hapur atë drejt grave, të cilat duhet të garojnë dhe në poste drejtuese. Ndryshimet statutore pritet të miratohen në asamblenë kombëtare dhe më pas në kongresin zgjedhor të PS-së.