Ministria e Kulturës e Malit të Zi do të
dorëzojë padi kundër organizatorit të festivalit tradicional popullor “Logu i
Tërgajës” në Cem të Malësisë, gjatë të cilit është shfaqur flamuri kombëtar
shqiptar, pa flamurin kombëtar të Malit të Zi, njoftohet nga ky institucion.
“Meqë në tubimin e përmendur u shfaq flamuri
i shtetit fqinj pa flamur kombëtar të Malit të Zi, lidhur me rastin në fjalë do
të dorëzojmë padinë penale para organeve kompetente kundër organizatorit.
Theksojmë se manifestimet e kulturës nuk mund të guxojnë të jenë paravan për
çfarëdo lloj nacionalizimi, as për shkeljen e normave të cilat janë të
përcaktuara qartë me dispozitat pozitive ligjore të Malit të Zi”, thuhet në
kumtesë.
Më tej thuhet se harmonia ndëretnike dhe
ndërfetare është një nga pasuritë themelore të shoqërisë malazeze. “Duke
respektuar të drejtat e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, të cilët
kultivojnë identitetin kulturor dhe kombëtar, me këtë rast edhe një herë
theksojmë nevojën e respektimit të dispozitave ekzistuese ligjore, në mënyrë që
të shmangen reagimet e ngjashme në të ardhmen. Sepse, ligjet e Malit të Zi
duhet të jenë të njëjtë për të gjithë”, përfundon kumtesa e Ministrisë së
Kulturës.
Ndaj paralajmërimit të Ministrisë së Kulturës
ka reaguar nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu dhe koalicioni
që mbanë pushtetin në Komunën e Tuzit, Forumi Shqiptar. “Jam i befasuar në
mënyrë të pakëndshme. Ministria e Kulturës dhe punonjësit e saj absolutisht
duhet ta dinë që ne, si popull shqiptar autokton në Mal të Zi, e kemi simbolin
tonë kombëtar që sipas Kushtetutës kemi të drejtën e përdorimit të lirë, dhe
gjithçka tjetër, për mendimin tim, është inicim i grindjeve me popullin tonë”,
thuhet në reagimin e Nimanbegut.
Nimanbegu ka shtuar se për këtë padi të
paralajmëruar do të bisedojë me përfaqësuesit e partive tjera shqiptare dhe do
“të shohim mënyrën përshtatshme për kundëreagim”. Në këtë kuadër reagoi edhe
Forumi Shqiptar, i cili padinë e cilësoi si njollosje për vetë ministrisë së
kulturës dhe qeverinë së Malit të Zi. “Për shqiptarët, padia juaj nuk do të
thotë asgjë, por ju vetëm e keni njollos veten”, thuhet në kumtesën e Forumit
Shqiptar.
Duke iu drejtuar Ministrit të Kulturës,
Forumi Shqiptar vë në dukje se “është e nevojshme që në nivel të të gjitha
subjekteve politike nacionale të shqyrtohet pjesëmarrja e mëtutjeshme në qeveri
në krye të së cilës qëndron një ministër që ka një qëndrim të këtillë ndaj
veprimtarive kulturore shqiptare”.
Kjo aleancë politike thotë se Ministria e
Kulturës “duhet ta di se shfaqja e flamurit në tubimin e përmendur nuk është
vetëm flamuri i Republikës së Shqipërisë, por është simboli kombëtar i të
gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë, flamuri të cilin ua ka lënë amanet heroi
më i madh kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu”.
Ligji mbi simbolet kombëtare në Mal të Zi
parasheh gjobë për përdorimin e çdo flamuri kombëtar pa flamurin e shtetit të
Malit të Zi. Kohëve të fundit është shënuar rasti i një qytetari në Ulqin, i
cili u dënua për shkak se në makinën e tij kishte dy flamuj të vegjël
shqiptarë, ndërsa në Malësi një qytetar tjetër kishte vendosur flamurin
shqiptar në shtëpinë e tij private. Propozimin për ndryshimin e këtij Ligji e
kanë dorëzuar përfaqësuesit shqiptarë në parlamentin malazez, por në votimin e
deputetëve ky propozim nuk mori shumicën e votave në parlament./VOA/