Arestohen dy doganierë në Kukës, lejuan futjen e mallrave kontrabandë në Shqipëri

Policia e Kukësit ka bërë arrestimin e dy doganierëve dhe një personi tjetër, të cilët akuzohen për “Kontraband mallrash”.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, është bërë arrestimi i shtetasit me inicialet G.SH., banues në Shtiqën Kukës, pasi, në aksin rrugor Morinë – Kukës nga shërbimet e DVP, është ndaluar automjeti tip “Iveko” fugon mallrash, me drejtues shtetasin e mësipërm, i cili kishte të ngarkuara 267 pako lëndë plastike (materiale ndërtimi), pa dokumenta shoqëruese.

Më pas, për shkak të moskryerjes së veprimet doganore të zhdoganimit të mallit, Policia e Kukësit ka arrestuar dhe dy shtetas të tjerë, me detyrë doganier në doganën e Morinës. Ata janë shtetasit me Inicialet H.B., dhe B.V., i pari banues në Tiranë dhe i dyti në Kukës.

Të dy këta shtetas kanë qenë në detyrë në momentin që mjeti me materiale nderimi kontrabandë është futur nga Kosova në drejtim të vendit tonë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti së bashku me mallin.

Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.

Skip to toolbar