Një dokument interesant i publikuar nga Marenglen Kasmi në “Real Story”, ishte një hartë e cila tregonte zonat e influencës të Nacionalistëve e Gjermanëve dhe atyre Partizane në Shqipëri. Dokumenti thekson se gjatë viteve 1944, forcat partizane kishin influencë të madhe në jug të vendit, ndërsa gjermanët dhe nacionalistët në ultësirën perëndimore që vijonte përgjatë veriut në detin Adriatik. Kjo, pasi sipas historianit Kasmi, gjermanët kujdeseshin që të kishin zona të lira në bregdet ku mund të kishte zbarkime.
“Hartat, me ngjyrë jeshile janë bandat nacionaliste, me ngjyrë të kuqe janë bandat komuniste. Ajo që bie në sy, kjo duhet të jetë e verës 44`, sepse shikojmë që forcat partizane janë të hedhura me shenja taktike. Në shtator ka mendime strategjike të gjermanëve për largimin nga Shqipëria. Në qershor të vitit 1944 nuk ka mendim për largimin. Ne shohim Shqipërinë, por problemi është Greqia. Gjithë zona bregdetare aty ku mund të ndodh dhe zbarkimi mbahet nga gjermanët dhe nacionalistët”, tha Kasmi.
Ai gjithashtu bëri dhe një arsyetim pse zonat e verilindjes nuk arritën të viheshin nën pushtimin e gjermanëve, dhe pse në veri të vendit pati vonesa në krijimin e grupeve të armatosura për çlirimin e Shqipërisë. “Verilindja është thuajse bosh, sepse këtu shohim organizimin fisnor të bajraktarëve. Në zonën e Mirditës e shohim që është gjithmonë e pastër. As gjermanët dhe as komunistët nuk kanë arritur të shkojnë. Këto janë ato krahinat autonome që as otomanët nuk u futën. Në 11 gusht shohim që ka ndryshuar harta e lëvizjes së forcave. Në veri dhe në jug rritet dominimi i komunistëve”.
“Sa i përket pjesës së veritu, organizimi i ushtrisë partizane u shfaq më i vonuar dhe më i vështirë. Në veri ishte më e vështirë për shkak të organizimit fisnor, atij organizimi shekullor. Ndërkohë në jug nuk e ndiqnin më Beun. Si ndërhyrje fillon në zonën e Shkodrës më tepër. Në këto zona janë dhe minierat që kishin interes gjermanët dhe britanikët”, tha Kasmi./Realstory.al/